Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin me kryetarët e komunave ka thënë se buxheti i komunave për vitin 2024 arrin 742 milionë euro.
Kurti ka shtuar se buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023, kurse për tri vite mandat buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë
“Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024 kap vlerën 284.7 milionë euro, që është granti me vlerën më të madhe ndonjëherë. Komuna e Ferizajt dhe Gjakovës janë komunat me më së shumti projekte infrastruktore, kurse Obiliqi, Skenderaj, Rahovec janë renditur në top tre komunat përfituese nga granti i performances komunale që ndahet nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal”, ka thënë Kurti.
Kryeministri shtoi gjithashtu se secila komunë këtë vit e ka të paktën për 40% më të lartë buxhetin sesa para tre viteve.
Kurti kërkoi nga kryetarët e komunave që të mos kontribuojnë në keqinformim të qytetarëve kur vjen puna tek mbështetja e nivelit qendror për atë lokal.
Kryeministri tutje u kërkoi bashkëpunim sa i përket regjistrimit të popullsisë që do të nis në muajin prill.