Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha në mbledhjen komemorative për ish-kryeministrin e vendit, Bujar Bukoshi, i cili vdiq të martën, tha se ai ishte mbështetës i rezistencës paqësore, por me raste edhe kritik i saj, siç ishte edhe mbështetës i kryengritjes së armatosur, por nganjëherë, gjithashtu edhe kritik i saj.
“Ai ishte i guximshëm në çdo situatë. Kurajoz në politikbërje, realist në qëndrime dhe adhurues i veprimeve”, tha ai.
Kurti vlerësoi komunikimin e Bukoshit me diplomatët e gazetarët gjermanë.
“Bujar Bukoshi ishte kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së parë të Kosovës”, tha Kurti, ndërsa përshkroi angazhimin e tij maksimal për t’i njohur kancelaritë evropiane dhe amerikane me shtypjen politike dhe shkeljet e ashpra të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Kurti tha se Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike e historike të viteve’90.
“Teksa vitet kalojnë, ne fitojmë pozicione pikëpamjesh të reja për zhvillimet e mëhershme politike dhe historike edhe të viteve të ’90-ta, kur Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë. Ndër rrjedhën e pandërprerë të kohës, historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë angazhimin dhe veprimtarinë e Bujar Bukoshit kur do të shkruajnë historinë moderne politike të Kosovës. E në të emri i tij do të jetë natyrshëm ndër më të përmendurit, më të spikaturit për veprën e tij që duhet vendosur saktë në kontekstin e kohës dhe interpretuar nga rrethanat e asaj periudhe”, tha ai.
Kraja: Me Bukoshin ishim të prerë për politikën e synimeve utopike, donim që Kosova të ishte ndryshe
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, tha se aty s’doli për të folur në emër të ndonjë institucioni apo ndonjë pushteti, por tha se aty është në emër të miqësisë dhe të vlerave që lidhen me të.
“Me Bujar Bukoshin më lidhi një miqësi e gjatë pa asnjë pretendim. As për të ndryshuar botën as për të ndryshuar rregullat e jetës. Thjesht u nisëm nga një ideal dhe arritëm aty ku arrijnë shumica e njerëzve të sërës sonë: më shumë të zhgënjyer dhe më pak të lumtur që bëmë një rrugë të mundimshme për t’u përballur së fundi, jo me dimensionin abstrakt të një ideali, por me përmasat reale të një bote, e cila pamëshirshëm t’i pamundëson dhe t’i shpërbën të gjitha ëndrrat. Megjithatë, ne e bëmë pjesën tonë të historisë”, tha Kraja.
Në bisedat tona të gjata, tha Kraja, që nga fillimi donim që Kosova të ishte ndryshe dhe doli se ne nuk ishim opozitë e askujt.
“Thjesht ishim opozitë e pamundësive tona. Opozitë e një realiteti që nuk lë shumë vend për idealizëm”.
“Nuk ishim asnjëherë të prerë për politikën e rezultateve të pritshme, por ishim të prerë për politikën e synimeve utopike, atje ku siç është e ditur nuk mund të arrijë shumëkush”.
Kraja foli edhe për kohën kur u njoh me Bukoshin në Lidhjen Demokratike të Kosovës, në të cilën ai tha se ishin “krahu autentik” i saj.
“Me Bukoshin u njohëm në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për bindjen time ne përbënim krahun më autentik të këtij organizimi, sepse nuk kishim interesa, kishim vetëm synime. Ky krah autentik nuk kërkoi dhe nuk mori mirënjohje dhe dekorata. Asnjëherë, asnjë për vete. Deshi vetëm që kjo histori suksesi të mos ishte vetëm një ëndërr e pajetuar.
Kohët që kërkojnë heronj janë kohë të vështira. Janë kohë me shumë kontradikta që mbi të gjitha kërkojnë sakrificë, kurajë, guxim, ndershmëri. Bujar Bukoshi e përballoi këtë kohë të vështirë dhe përkundër ëndrrave të këqija që dikush mund të shihte për të. U prehsh në paqe mik!”, tha Kraja.
Ndërsa, Shota Bukoshi, vajza e ish-kryeministrit të parë të Kosovës, Bujar Bukoshi, foli për anën njerëzore të babait të saj.
|Si baba, bashkëshort dhe si gjysh, aq sa ishte i saktë në skalperin e operacionit, aq ishte edhe i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm në ndjekjen e vizionit për vendin tonë.
Po aq ishte mbështetës, plot dashuri dhe me humor kur ishte te ne në shtëpi.
Në vitet e fundit kur ai u përball me një sëmundje të rëndë, ne njohëm edhe një baba tjetër: luftëtarin që sfidonte sëmundjen me të njëjtën vendosmëri me të cilën përballonte vështirësitë që i sillte politika. Deri në fund të jetës së tij, ai na tregoi se të luftosh për të jetuar, do të thotë të jetosh si njeri i lirë në mendje dhe të mos tërhiqesh përballë asnjë pengese. Në dhimbjen tonë, është një ngushëllim i madh të shohim se vepra e tij dhe kontributi i tij po vlerësohen”, tha Shota Bukoshi.