Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministren e tretë, Emilja Rexhepi, nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe anëtarë tjerë të kabineti qeveritar, deputetë të zgjedhur dhe përfaqësues të institucioneve, bënë homazhe pranë Memorialit “Heroinat” në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.
“Në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, nderojmë çdo grua dhe burrë që përjetoi dhe mbijetoi këtë krim të rëndë e çnjerëzor të përdorur sistematikisht nga forcat okupuese serbe. Nderojmë Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sulimanin, që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë, edhe për mijëra gra e burra të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë “, u shpreh kryeministrit pas homazheve.
Ai njoftoi se në këtë ditë simbolike, në përputhje me ligjin, po zgjasim periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me synimin që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton. Sipas vendimit të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës zgjatet deri më 15 maj 2028, ndërkaq afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës zgjatet deri më 15 maj 2027.
Kryeministri theksoi se dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998 – 99, teksa shtoi se pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021, u shënua një hap drejt drejtësisë, me dënimin e parë të kriminelit të luftës Zoran Vukotiq për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Këto krime nuk parashkruhen e as nuk falen – tha ai ne fund.
Pamje (video) nga homazhet: https://mab.to/t/qTv9OeTa1aY/eu1