Pas ceremonisë zyrtare për shënimin e 112-të vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që u mbajt në Vlorë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministra të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit vizitoi Prekazin për të bërë nderime dhe homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
28 Nëntori, krahas ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, gjithashtu shënon ditëlindjen e Komandantit legjendar, Adem Jashari dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti pas homazheve:
Nga Vlora erdhëm në Prekaz, për shkak se 28 Nëntori ka nisur me Skënderbeun në Krujë, ka vazhduar me Ismail Qemalin në Vlorë dhe së fundmi në luftën çlirimtare edhe me Adem Jasharin dhe Jasharët këtu në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes shqiptare.
28 Nëntori është datë themeltare e historisë, e vetëdijes kolektive e identitetit kombëtar të shqiptarëve ngado që janë. Andaj këtu në Prekaz kanë ardhur njerëzit nga të gjitha trojet ku banojnë shqiptarët dhe i popullojnë ato gjithnjë në mënyrë autoktone në Ballkan, por edhe nga mërgata jonë, për ta kujtuar e përkujtuar e rikujtuar se flamurin e kemi të kuq për shkak se është derdhur shumë gjak për liri e për pavarësi, ndërkaq shqiponjën e zezë në mes për shkak se jemi komb krenar sikurse shkaba dykrenare.
Ua uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë festën e Pavarësisë së Shqipërisë, të flamurit kombëtar shqiptar, duke përmendur përveç Prekazit, Vlorës dhe Krujës gjithashtu edhe Llaushën aty ku në vitin 1997 Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj e shpallën botërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila ishte bartëse e kryengritjes sonë dhe faktori kryesor që e bëri çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999.
Falënderim i përzemërt dhe mirënjohje e thellë për të gjithë ata që kontribuan më krejt çfarë ditën e munden për lirinë, për zhvillimin, demokracinë, bashkimin, prosperitetin e shqiptarëve e lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë nga të gjitha trevat dhe në të gjitha epokat historike.