Në përvjetorin e 27-të të masakrës në fshatin Lybeniq të komunës së Pejës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te varrezat e të vrarëve nga forcat e armatosura të Serbisë.
Mëngjesin e hershëm të 1 prillit të vitit 1999, pjesëtarë të njësive “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” të ushtrisë serbe sulmuan fshatin, duke i nxjerrë banorët nga shtëpitë e tyre dhe duke i mbledhur në mes të fshatit, afër xhamisë.
Ata kishin ndarë dhe dëbuar duke i nisur drejt Shqipërisë fëmijët, gratë dhe të moshuarit, ndërsa kishin ekzekutuar me rafalë të pandalshëm të armëve automatike 59 burra të familjeve: Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha.
Përkundër dokumentimit qysh më 1999 nga Human Rights Watch, si dhe dëshmive dhe dëshmitarëve, Serbia ka zvarritur dhe mjegulluar një proces gjyqësor të nisur atje. Shteti gjenocidal i Serbisë vazhdon të refuzojë të ballafaqohet me të kaluarën e errët, ndërsa është shndërruar në tokë të varrezave masive dhe strehë e kriminelëve të luftës.






