Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurorë me lule te varri i veprimtarit dhe atdhetarit të shquar të çështjes kombëtare, Fazli Greiçevci, në 61-vjetorin e vrasjes së tij.
Siç bëhet e ditur në njoftim, me këtë rast Kurti ka thënë se Fazli Greiçevci i takon një gjenerate të hershme të veprimtarëve, të cilët dhanë gjithçka për lirinë.
“Ai ishte pjesë e rëndësishme e organizimeve dhe aktiviteteve politike me veprimtarin dhe simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçi. Përveç si veprimtar e patriot, Fazli Greiçevci dha kontributin e tij edhe si mësues e poet, intelektual e aktivist i palodhur. Në këtë përvjetor, e kujtojmë dhe përulemi para veprës së tij të lavdishme për liri e dinjitet. Ai vdiq nga torturat vdekjeprurëse të policisë sekrete jugosllave, në burgun e Prishtinës me 17 gusht 1964.Lavdi jetës dhe veprës së Fazli Greiçevcit!”, është shprehur Kurti.