Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi dhe deputetë të Kuvendit, bëri sot homazhe në 25- vjetorin e vrasjes së Ekrem Rexhës, të njohur si Komandant Drini, në Landovicë të Komunës së Prizrenit.
Kryeministri Kurti tha se Ekrem Rexha, Komandant Drini, ka qenë një veprimtar intelektual, një luftëtar i paepur, i cili me pushkë në dorë dhe me strategji në mendje u përball me armikun e okupatorin serb dhe sot shënojmë 25-vjetorin e vrasjes së tij.
Pas homazheve te varri i tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për familjen e Komandant Drinit, që e dhanë një bir kaq të vlefshëm për kombin shqiptar.
“Lavdi Komandant Drinit dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!’’ u shpreh kryeministri Kurti.
Pas homazheve te varri i Komandant Drinit, kryeministri Kurti do të bëjë homazhe edhe te memoriali në lagjen Bazhdarhane.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Ekrem Rexha, komandant Drini ka qenë një veprimtar intelektual, një luftëtar i paepur i cili me pushkë në dorë dhe me strategji në mendje u përball me armikun e okupatorin serb dhe sot shënojmë 25-vjetorin e vrasjes së tij me ç’rast bëmë homazhe këtu te varri i tij dhe shprehëm mirënjohjen tonë të thellë tek familja e tij që e dhanë një bir kaq të vlefshëm për kombin shqiptar.
Lavdi Komandant Drinit dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!