-11.3 C
New York
Sunday, February 1, 2026

Buy now

Kurti bën homazhe në 36-vjetorin e vrasjes së Elfete Humolli

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe në kujtim të dëshmores së kombit Elfete Humolli, në 36-vjetorin e vrasjes së saj.

“Para 36-vjetëve kishte demonstrata anembanë Kosovës, jo vetëm nëpër qytete, por edhe nëpër fshatrat e Kosovës. Një natë më herët më 31 janar 1990, ka pasur demonstrata të fuqishme në Podujevë, e të nesërmen kanë vazhduar edhe në Lupç të Poshtëm. Fjalët e fundit që thuhet kanë dalë nga goja e Elfetes janë: “Ku është Mentori, a ka shpëtuar?”. Sepse si 16 vjeçare në demonstratë, ajo brengën më të madhe e kishte në atë vend, vëllaun e vet 13 vjeçar.” u shpreh Kurti në prononcimin për media pas homazheve.

Ai shtoi se Elfetja kishte dalë në demonstrata për Republikën e Kosovës, për mbrojtjen e popullit, kundër okupimit të Serbisë, e sikurse edhe shumë nxënës të tjerë ishte në ballë të qëndresës e të rezistencës, e cila i parapriu pastaj edhe kryengritjes së armatosur e luftës çlirimtare të bartur e udhëhequr nga UÇK-ja.

Vëllau i saj Mentori bie poashtu dëshmor në maj të vitit 1999-të, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

“Elfete dhe Mentor Humolli janë vëlla e motër, po janë edhe simbol i sakrificës, i flijimit, i njerëzve të këtij vendi, që me qëndrueshmërinë e tyre, ndodhen në rrënjët, në themelet e lirisë e të shtetit tonë, dhe të aspiratave tona për përparim shtetëror, por edhe kombëtar”, tha Kurti.

Kryetari i VV-së, vizitoi edhe familjen Humolli, ndërsa në librin e përkujtimeve shkroi:

“Motra pyet se ku është vëllau, se a ka shpëtuar ai. Këto janë fjalët e fundit të Elfete Humollit, dëshmore e kombit, e rënë heroikisht si nxënëse e shkollës së mesme ekonomike në demonstratë kundër okupimit të Serbisë në Lupç të Poshtëm me 1 shkurt 1990, kur ishte vetëm 16 vjeçare, për vëllaun e saj 13 vjeçar Mentorin, i cili bëhet dëshmor si luftëtar i UÇK-së më 21 maj 1999 në betejë me të njëjtën Serbi armike. Rrënjët e lirisë dhe themelet e shtetit i kemi te gjaku i derdhur i bijave e bijëve më të mirë të kombit. Lavdi!”, tha Kurti.

Të ngjashme

Të fundit