Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale. Ai tha se kjo parti ka “një trashëgimi dhe të tashme terroriste”, ndërsa në mesin e saj gjenden persona të përfshirë në sulme të ndryshme dhe që, sipas tij, veprojnë në mënyrë subversive kundër Republikës së Kosovës.
Kurteshi përmendi edhe vendimin e Qeverisë së Serbisë për emërimin e Sasha Millosheviqit si kryetar të komunës paralele të Gjilanit, duke e cilësuar këtë si shembull të përfshirjes së Listës Serbe në struktura paralele.
“Ne e kemi një parti politike që ka një trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Përveç kësaj ka elemente të tjera, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme. Tash i kemi edhe veprimet e institucionet për ndjekje penale. Në mesin e tyre kemi persona që ën të vërtete në mënyrë subversive punojnë kundër Republikës së Kosovës”, tha Kurteshi.