Sulmuesi Cristiano Ronaldo beson se është lojtari më i mirë në historinë e futbollit, duke insistuar se “nuk ka parë kurrë dikë si ai”.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë po e bën ‘ligjin’ në Arabinë Saudite te Al Nassr, pas karrierës së suksesshme te Manchester United, Real Madrid dhe Juventus.
Ronaldo ka shënuar 923 gola në karrierë, kurse nuk beson se ndokush i afrohet.
“Sinqerisht, nuk kam parë kurrë dikë më të mirë se unë. Besoj se jam lojtari më i kompletuar që ka ekzistuar ndonjëherë”.
“Mund t’i bëj të gjitha në futboll. Jam i mirë në kokë, në gjuajtje të lira, godas mirë me të majtën, jam i shpejtë dhe i fortë”.
“Varet preferenca personale, dikush preferon Messin, Pelen ose Maradonan. I kuptoj dhe respektoj. Por, të thoni se Cristiano nuk është i kompletuar atëherë është gënjeshtër. Jam më i kompletuari”.
“Jam golashënuesi më i mirë në histori. Nëse i arrij 1 mijë gola, në rregull. Nëse jo, jemi në rregull prapë. Numrat nuk gënjejnë”.
I pyetur për pensionimin e mundshëm, Ronaldo shtoi: “Mund të pensionohem tani dhe të mos pendohem kurrë, por do të ishte turp sepse jam ende në formë shumë të mirë dhe e bëj ndryshimin”.
“Mund t’i them vetës se mund ta bëj ndryshimin edhe për një apo dy vite, prandaj jetoj në të tashmen dhe nuk mendoj për afatgjatë”.