Kurban Bajrami, një nga festat më të rëndësishme për myslimanët në mbarë botën, është shumë më tepër se një akt sakrifice – është një festë shpirtërore.
Në këtë ditë të veçantë, tryeza merr një rol qendror, duke bashkuar familjet rreth ushqimeve tradicionale që simbolizojnë mirënjohjen, begatinë dhe ndarjen me të tjerët.
Mishi i kurbanit – simboli i sakrificës
Pjata kryesore e kësaj feste është, natyrisht, mishi i kurbanit. Pasi bëhet therja sipas rregullave fetare islame, mishi ndahet në tri pjesë: një për familjen, një për të afërmit dhe një për të varfrit.
Pos mishit të kurbanit, në tryezë gjatë gjithë ditës nuk mungojnë as ëmbëlsirat, si fundi i ëmbël i një dite të shenjtë
Pas një dreke të bollshme, në tryezë nuk mungojnë ëmbëlsirat tradicionale:
Bakllava – Mbretëresha e festave shqiptare, e përgatitur me petë të holla, arra dhe shërbet.
Sheqerpare, tullumba apo kadaif – Varietete të tjera të ëmbëlsirave që shtojnë shijen festive.
Hallva – Një ëmbëlsirë simbolike që shpesh përgatitet në shtëpi dhe ka ngarkesë emocionale e shpirtërore.
Ndarja me të tjerët – thelbi i Bajramit
Nuk ka Kurban Bajram pa solidaritet. Shpërndarja e mishit dhe ushqimit për ata që kanë më pak është një nga shtyllat kryesore të festës. Shumë familje përgatitin vakte shtesë për t’i ndarë me fqinjët, të afërmit dhe njerëzit në nevojë. /Klan Kosova/