Një pretendent për kryeministër në Slloveni, ambasadori i Kosovës në Kroaci dhe një skandal financiar për të cilin u raportua së fundmi, e kanë kthyer një llupë kah kompania e madhe energjetike me bazë në Ljubljanë, që operon edhe në Kosovë tash e mbi një dekadë.
Kompania energjetike sllovene, “GEN-I”, ka tash e gati 13 vjet që është aktive në tregun e Kosovës. Dega në Kosovë e “GEN – I TIRANA SH.P.K”, filialit të kompanisë mëmë nga Sllovenia, në vitin 2009 ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. Në të njëjtën kohë, kjo degë u licencua nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë për import dhe eksport të energjisë elektrike, raporton Gazeta Express.
Sipas të dhënave në ARBK, drejtori i përgjithshëm i “GEN-I”, Igor Koprivnikar është edhe drejtor i degës në Kosovë. Ai në krye të “GEN – I” në Slloveni erdhi së fundmi në vend të Robert Golob, që tash synon të bëhet kryeministër i vendit, dhe i cili u akuzua për një skandal financial ku imlikohet edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në web-faqen e kompanisë sllovene, Koprivnikar përshkruhet si ekspert me përvojë shumëvjeçare menaxheriale korporative në fusha të ndryshme që lidhen me tregtimin e energjisë dhe proceset e liberalizimit në tregjet energjetike të Evropës Qendrore dhe Lindore. Shaban Hashani është i regjistruar si asistenti tij në Kosovë.
ZRRE e kishte bërë publike licencën e dhënë për degën në Kosovë të “GEN – I TIRANA”. Dega e filialit të kompanisë sllovene në kryeqytetin e Shqipërisë, në shtator të vitit 2009 kishte marrë leje për shitblerje të energjisë elektrike me kapacitet total mbi 400 MW.
Sipas dokumentit, kjo kompani u lejua “të blejë kapacitete dhe energji elektrike nga prodhuesit me çmime të parregulluara”.
Licenca fillimisht vlente nga data 29 dhjetor 2009 dhe parashihej të ishte e vlefshme deri me 29 dhjetor 2016, me mundësi vazhdimi.
Në emër të organit që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, licencën e kishte nënshkruar kryesuesi i atëhershëm i bordit të ZRRE-së, Enver Halimi.
Një nen në kushtet e licencës, parasheh ndalimin e subvencioneve dhe ndër-subvencioneve nga ndonjë aktivitet tjetër i kompanisë së licencuar.
“I licencuari do të parandalojë apo evitojë që aktiviteti për furnizim me shumicë, import dhe eksport të energjisë elektrike të jap apo të marrë ndonjë subvencion apo ndër-subvencion (direkt apo të tërthortë) prej ndonjë aktiviteti tjetër te të Licencuarit dhe/ose ndonjë Vartësi (ortaku) apo anëtari, dhe/ose ndonjë person tjetër”, thuhet në kushtet e licencës.
Televizioni slloven, Planet TV ka raportuar për një implikim të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skandal financiar. Sipas televizionit, Berishaj kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN”, e të cilat pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë kandidatit për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob.
Këto pretendime i ka mohuar Berishaj, duke paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi. Presidenca i ka kërkuar raport dhe e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, pasi paraprakisht presidentja Vjosa Osmani ka thënë se i beson versionit që Berishaj e ka dhënë në Facebook.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se dega e “GEN-I” në Beograd ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit. Sipas Infokusit, Korporata Energjetike e Kosovës ka blerë energji elektrike në vlerë prej 4.2 milionë euro vetëm në muajin dhjetor 2021 dhe janar 2022, kurse ka shitur energji elektrike tek kjo kompani rreth 105 mijë euro.
Gazeta Express ka provuar ta marrë një qëndrim nga dega e “GEN-I” në Kosovë, por nga aty nuk kanë pranuar të flasin.
Përveç Kosovës, “GEN-I” është aktiv me kompanitë e veta në tregjet e Austrisë, Italisë, Bullgarisë, Serbisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Greqisë, Turqisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë. “GEN – I” operon në më shumë se 22 vende europiane me 16 filiale dhe 500 punonjës, sipas të dhënave të publikuara në web-faqen e kompanisë.
Kompanitë tjera që tregtojnë energji elektrike në Kosovë
Zyra e Rregullatorit për Energji u ka dhënë leje edhe 13 kompanive tjera për t’u marrë me blerje të energjisë elektrike.
“BINDI INTEGRATED SERVICES SH.P.K” është kompania e fundit e licencuar nga ZRRE-ja, sipas të dhënave të publikuara në web-faqen e kërij organi. Kompanisë ku drejtor është Ledian Taçi dhe Hysen Ruka si përfaqësues i autorizuar (të dy nga Shqipëria), në shtator të vitit 2020 i është dhënë leja për furnizim me shumicë të energjisë elektrike. Ky i fundit posedon shumicën e aksioneve në këtë kompani (51%), ndërsa bashkaksionar është Bardhyl Hasanpapaj me 49% të aksioneve.
Një kompani tjetër e licencuar për t’u marrë me tregtimin e energjisë elektrike është edhe “GSA ENERGJI SH.P.K”. Drejtor i kësaj kompanie është Serafin Orgocka, ndërsa Ridvan Selimi agjent i regjistruar në ARBK.
E licencuar për të njëjtat aktivitete të paktën që nga maji i vitit 2017, është edhe kompania “PAN INTERTRADE SH.P.K”, drejtor i së cilës në ARBK figuron Gradimir Panchikj.
“EnergoSupplier SH.P.K” është një tjetër kompani e licencuar për furnizim me shumicë të energjisë elektrike. Nysret Podvorica dhe Shqiprim Bajrami figurojnë si aksionarë të kompanisë së regjistruar në ARBK, me nga 50%.
Për të njëjtën punë, e licencuar nga ZRRE-ja është edhe kompania “EDS International KS L.L.C”. Dimitar Ivanovski është drejtor i saj, sipas të dhënave në ARBK.
Zyra e Rregullatorit për Energji i ka dhënë leje edhe një kompanie të quajtur “Danske Commodities Kosovo SH.P.K”, me Helle Ostegaard dhe Jakob Moller të regjistruar si drejtorë në ARBK.
“MCM COMMODITIES SH.P.K” është një kompani tjetër që merret me furnizim me shumicë të energjisë elektrike, me drejtor FatosVuthin.
Kenan Karamehmedovic, sipas ARBK-së është drejtor i “Axpo Kosovo L.L.C”, një tjetër kompanie që posedon licencë nga ZRRE-ja.
Të njëjtën punë e bën edhe kompania “ENERGY FINANCING TEAM L.L.C”, po ashtu e licencuar nga ZRRE-ja. Mirsad Uruçi figuron si përfaqësues i autorizuar i kompanisë në ARBK.
Në regjistrin e kompanive të licencuara nga ZRRE, është edhe “FUTURE ENERGY TRADING AND EXCHANGE DYNAMICS SH.P.K”, ku drejtor është Admir Bytyçi.
Për shitblerje të rrymës, një kompani e quajtur “HEP – KS SH.P.K” figuron si e licencuar nga ZRRE-j po ashtu, krahas “GEN-I”. Megjithatë, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve kjo kompani nuk figuron.
Dy kompani të tjera, “EVN TRADING L.L.C” dhe “PETROL TRADE SLOVENIJA L.L.C”, të cilat nga ZRRE-ja kanë marrë leje për tregtim të energjisë elektrike tashmë janë të shuara, sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve