“Kur Trump flet, bota duhet të dëgjojë”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Kjo për të vënë theksin në paralajmërimet e presidentit amerikan Donald Trump, ndaj Iranit për armët bërthamore.
Ai nënvizoi se SHBA-ja ka shkatërruar programin bërthamor iranian, duke shtuar Trump e bëri atë që “shumë presidentë ëndërronin, por nuk mundën”.
Hegseth ka thënë se çdo akt hakmarrjeje nga Irani kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përballej me “forcë shumë më të fuqishme” se sa ajo që është treguar në orët e para të së dielës kundër tri objekteve bërthamore.
“Presidenti Trump ka thënë ‘jo armë bërthamore’, ai ka kërkuar paqe dhe Irani duhet ta ndjekë këtë rrugë”, ka thënë Hegseth. “Irani do të tregohej i zgjuar nëse do t’i merrte seriozisht këto fjalë, sepse ai vërtetë i mendon ato”.
Në anën tjetër shefi i shtatmadhorisë së SHBA-së, Dan Caine, ka thënë se sulmi i SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran, ishte një mision shumë i klasifikuar që shumë pak njerëz e dinin për të.
“Ky ishte mision shumë i klasifikuar me shumë pak njerëz në Washington që dinin kohën ose natyrën e këtij plani”, tha Caine.
Ai ka treguar se shtatë bombarduesit B-2 ishin të përfshirë në fluturimin 18-orësh në zonën e synuar. Pasi bombarduesit arritën në hapësirën ajrore iraniane, një nëndetëse amerikane lëshoi dhjetëra raketa lundruese “Tomahaëk” kundër objektivave kyç në centralin bërthamor të Isfahanit. Gjithsej mbi 125 avionë u përfshinë, në mesin e tyre bombardues B-2, cisterna furnizimi me karburantë, aeroplanë zbulimi dhe avionë luftarakë. Duke fluturuar nga një bazë në Missouri, misioni ishte më i gjati me B2 që nga sulmi pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.
Ai tha se në këtë mision kishte një operacion mashtrimi ku bombardues u dërguan në Paqësor si “karrem”.
Caine ka theksuar se sistemet mbrojtëse të Iranit nuk i panë bombarduesit amerikanë. Sipas tij, raketat Tomahawk u lansuan për të siguruar që SHBA-ja ta ruajë “elementin e surprizës”.
“Duket se sistemet e raketave tokë-ajër të Iranit nuk na panë”, ka shtuar ai.
Ka deklaruar se tri objektet bërthamore në Iran kanë pësuar dëme të konsiderueshme.
“Duhet kohë për të bërë vlerësimin final, por vlerësimi fillestar tregon se të tri objektet kanë pësuar dëme ekstreme dhe shkatërrim”, thotë Caine.
Ai ka thënë se forcat amerikane në rajon janë në gjendje të gatishmërisë së lartë.
SHBA-ja ka sulmuar tri objekte bërthamore në Iran. Janë sulmuar objektet Fordow, Natanz dhe Esfahan.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit ka thënë se përgjigjja e tij ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane do të “shkaktojë keqardhje të thellë”.
“Akti i sotëm i agresionit nga regjimi terrorist amerikan i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit të drejtën legjitime për të vepruar në vetëmbrojtje, duke përfshirë edhe përmes opsioneve që shkojnë përtej llogaritjeve iluzive të koalicionit agresor”, thuhet në një deklaratë të IRGC-së e botuar në agjencinë shtetërore të lajmeve Tasnim të Iranit, raporton CNN.
IRGC-ja ka trajnuar, armatosur dhe financuar rrjetin e përfaqësuesve iranianë që shtrihen në Lindjen e Mesme.