26.7 C
New York
Sunday, July 20, 2025

Buy now

Kur s’iu bën tamam s’e duan – Pushteti godet në emër të përvetshëm prokurorin Gashi pas arrestimit të “Ridit”

- Advertisement -

Njeriu që ndërtoi lift personal në restoranin e tij për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit, u prangos mëngjesin e të premtes. Fjala është për Ridvan Muharremin, “Ridi”-n; figurës mbase më problematike të kohëve të fundit, një njeri privat të cilit i komunikohen sekrete shtetërore, e madje iu besohen edhe për të kryer punë me to. Për herë të parë Kurti, doli për t’u deklaruar për aferat me Rezervat Shtetërore, ku goditi gjithkënd që është marrë me to – prej mediave e deri te drejtësia.

Pasi “Ridi” e gjeti veten të arrestuar me të çelë mëngjesi, bashkërisht me dy zyrtarë të lartë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kjo ministri s’la pa e nisur reagimin me emër të përvetshëm të prokurorit që ka urdhëruar arrestimet dhe bastisjes – Valdet Gashin.

Kjo, siç rëndom ndodh, kur duan të shënjojnë dikë si ‘përndjekës’ ekskluzivisht të tyre.

Orë më vonë, Rozeta Hajdari, doli në konferencë për media – jo për t’u dorëhequr – por, sa për të hequr duarsh një obligim të saj të deklarimit.

Konfirmoi në mënyrë implicite se vaji s’ka ardhur kurrë – “vonesë 3 përqind” të blerjeve të Rezervave Shtetërore prej 10 milionë euro më 2022, që deduktivisht përkthehen saktësisht në 300 mijë eurot e vajit.

Por, tha ajo, janë 26 lëndë që MINT qe dy vite e gjysmë ka dërguar në Prokurori dhe s’janë trajtuar; ndërsa kjo e vajit, po trajtohet. E dha sikur drejtësia po tregohet selektive.

Që nga fillimi i mandatit tim, ne kemi dorëzuar 26 lëndë në Prokurorinë e Themelore, në Policinë e Kosovës dhe në Gjykatën e Kosovës; dhe deri më tani asnjëherë nuk jemi njoftuar nga ana e tyre për ndërmarrjen e ndonjë veprimi. Ftojmë këto organe të fillojnë të trajtojnë këto lëndë të dërguara nga MINT; dhe veçse kam pritur që do të fillonin nga këto raste sepse janë dy vite e më shumë. E kam edhe listën. Këto janë që kanë ndodhë në MINT”, tha Rozeta Hajdari në konferencë për shtyp.

Përmes një videoregjistrimi, Kurti do t’ia jepte kreshendo tërë kësaj, duke i dhënë mbështetje të kategorive absolute ministres së saj – e duke goditur tërë organet e drejtësisë.

Prokurorin Special Valdet Gashin, e patën shënjestër të posaçëm.

Kurti, do të lëshohej në brutalizmat e tij, duke ia kundërvënë vetes gjithçka të kaluar, e gjithçka që s’janë pjesë e qeverisjes së tij.

Raportimet për 300 mijëshin e vajit, vajit që s’erdhi kurrë e për të cilin u dhanë para publike, “janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar”, do të thoshte ai.

Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit”, tha ai përmes kësaj videoje.

Këtu, ai u lëshua edhe në kërcënim ndaj drejtësisë.

Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t’i fshehin edhe shumё gjatё”.

Por, e vërteta është se është po i njëjti prokuror, që ka trajtuar raste që dikur Lëvizja Vetëvendosje ka shërbyer dhe ushqyer narracionin e saj opozitar e pozitar.

Valdet Gashi, ka trajtuar edhe rastin e vjedhjes së Thesarit gjatë kohës sa ishte Qeveria e udhëhequr nga LDK; rast ky në të cilin LVV kishte kapitalizuar maksimalisht; dhe e që e kishte nxjerrë si kartë kaherë:

I njëjti prokuror, po ashtu kishte ngritur aktakuzën edhe ndaj Pal Lekajt, për rastin e 53 milionëshit të Bechtel Enkas; ku në shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit lidhur me ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Han i Elezit.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Pal Lekaj në cilësinë e kryesuesit të Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe ministrit në Ministrisë e Infrastrukturës, së bashku me sekretarin e kësaj Ministrie, Nebih Shatrin dhe drejtorin e Prokurimit Publik, Besim Tahirin, kishin nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Bechtel & Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë por pa përcaktuar koston financiare. Si pasojë e këtyre veprimeve…buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro, shkruante në aktakuzë.

Aso kohe, kjo ishte edhe njëra nga temat që Lëvizja Vetëvendosje e kishte mjeshtruar si ekzemplare për të treguar kontrastin që ata si parti politike kanë me të tjerët parti të pushtetit. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit