Shkruan: Blerim Canaj
Nuk kaluan as disa orë nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe menjëherë u vu në lëvizje dhe doli në skenë një personazh i njohur për spektakël e provokim, Dejona Mihaili, një figurë e diskredituar, e përzënë më herët nga Kosova dhe tani e rikthyer si zëdhënëse e rrëmujës kundër rendit kushtetues. Por jo vetëm Dejona Mihaili, ajo ishte e shoqëruar nga zëra të turpshëm me të cilët së bashku menjëherë filluan të sfidojnë publikisht një vendim të institucioneve të drejtësisë. E kjo nuk ka më të bëjë me aktivizëm, ky thjesht është sabotim institucional me bekimin e pushtetit. Edhe më interesante bëhet kur të njëjtën ditë me vendimin, shpërndahen video “të rastësishme” ku shihet policia e Kosovës duke „mbrojtur“ sovranitetin në veri edhe pse tanimë dihet që kur Kurti i ka punët keq në Prishtinë, apo ka një plan destruktiv për shtetin vetëm për të shpëtuar veten, veriu i shërben si perde tymi. Kështu mbi vendimet e Kushtetutës ngrihet zhurma e dronëve dhe e videove të inskenuara për të larguar vëmendjen nga thelbi: sfidimi i rendit juridik të shtetit.
A duhet që veriu i Kosovës vazhdimisht të jetë lodër e Kurtit apo bunker i Vuçiqit?! A duhet veriu të vazhdojë të mbetet rajon me instrumentalizimin e të cilit shpëtohen politikisht liderë që nuk njohin kufij kur bëhet fjalë për pushtetin personal. A duhet që veriu të mbetet pjesë ku sa herë që planifikohet diçka destruktive për shtetin nga pushtetet në Kosovë e Serbi përdoret për të zhvendosur vëmendjen e qytetarit i cili nga të zgjedhurit e tij thjesht pret zgjidhje e jo krijim të problemeve? Duhet të jeshë shumë i verbër që të mos vëresh që thjesht kemi të bëjmë me aktorë të degraduar që sillen si zëdhënës të “revolucionit” por punojnë për destabilizim.
E qetësia dhe integrimi i veriut nuk ndodh duke bërë filma. Ndodh duke respektuar ligjin dhe drejtësinë dhe duke respektuar Kushtetutën. Dhe nëse ne nuk i mbrojmë vendimet e kushtetueses sot, nesër nuk guxojmë të ankohemi se si askush nuk na njeh si shtet funksional. E pikërisht kjo ka qenë puna më e madhe e qeverive serbe dhe ruse: propagandimi që Kosova nuk është shtet funksional.
Dihet që shteti fillon aty ku mbrohet rendi juridik e mbaron aty ku një personazh si Dejona Mihaili me përkrahjen e atyre që kanë besimin e popullit ta mbrojnë shtetin, kthehet në simbol të sfidës ndaj tij, ndërsa të tjerët heshtin për shkak të kalkulimeve politike.
Të jem i qartë: sot na u dhanë mesazhe që kemi rrezik që kushtetutuesja do të vazhdojë të sfidohet nga njerëz pa ndjenja shtetformimi e shtetndërtimi, nga njerëz që duan zhbërjen e tij, e veriu do të vazhdojë të përdoret me hurrapatriotizma për të zhvendosur vëmendjen!
@Highlight