15.6 C
New York
Sunday, September 21, 2025

Buy now

Kur historia i prodhon liderët dhe liderët historinë

- Advertisement -
Agon Maliqi
Historia vërtet ndonjëherë prodhon liderë, dhe liderët prodhojnë histori. Por ka raste kur historia edhe i zhvesh liderët lakuriq, duke i nxjerrë si sheshit si liderucë.

A ishte Thaçi prijës i luftës, apo na është shërbyer një narracion i rremë dhe mitologjik i veprës së tij? Ndërtimi i kësaj dileme të rreme, me sa duket, ishte shqetësimi kryesor i kampit politik mbështetës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Kosovë dhe më gjerë, pas dëshmisë së Xhejms Rubin në Hagë.

Vënia e theksit te ky dimension i dëshmisë, duke e shkëputur prej kontekstit dhe prej dimensioneve ligjore të rastit – ku Rubin dhe mbrojtja po mundoheshin me të drejtë ta çmontonin, përmes shembujve të negociatave në Rambuje dhe demilitarizimit të UÇK-së, idenë se Thaçi kishte kontroll efektiv mbi UÇK-në – e tregon natyrën e ulët dhe kutin krejt narcisist përmes së cilit mbështetësit e pushtetit të sotëm po i vëzhgojnë zhvillimet në Gjykatën Speciale.

Ata ndahen në dy kampe brenda VV-së – ai guxoist dhe LPK-ist – por e kanë të përbashkët një frikë.

Frika e guxoistëve që e mbështesin prokurorinë nuk është se Haga mund të jetë duke prodhuar padrejtësi ndaj viktimave të krimeve të pretenduara, duke e huqur adresën e përgjegjësisë nga niveli lokal – ku rivalët e shfrytëzonin kaosin e luftës për të qëruar hesape – duke e çuar këtë përgjegjësi te përfaqësuesi politik.

Frika e atyre që nuk e mbështesin Specialen, por që e shohin si instrument politik për dënimin e luftës, nuk është se bartja e përgjegjësisë te komandantët, dhe mungesa e mohimit të krimeve, e njollos luftën.

Frika e tyre e përbashkët në fakt është narracioni historik që po ndërtohet para syve tanë për Thaçin në opinionin publik në Kosovë, dhe pasojat që kjo mund t’i ketë për pushtetin e tyre aktual.

Qysh tash po përgatitet terreni për mundësinë që Thaçi të rikthehet, tashmë me aurën e edhe një beteje historike të fituar. Prandaj edhe gjithë kjo nevojë për ta shpallur edhe njëherë si tradhtar të bashkëluftëtarëve me përzgjedhjen e strategjisë së tij mbrojtëse, apo për t’i përdorur dëshmitë për ta zhvlerësuar peshën historike të tij.

Dëshmia e Rubin në fakt ishte krejtësisht realiste dhe e kuptueshme për këdo që e ka jetuar dhe studiuar atë periudhë – një dokument shumë i rëndësishëm historik pa romatizime – dhe ajo nxjerr në dritë pikërisht kontributin më të madh të Thaçit në historinë politike të Kosovës, si dhe jep shpjegimin se përse ai më vonë u bë realisht i fuqishëm si politikan.

“Ndonjëherë liderët e krijojnë historinë, e ndonjëherë historia i krijon liderët.” Kjo thënie – që shpesh i atribuohet De Golit por së cilës nuk i dihet origjina e saktë – përputhet krejtësisht me zhvillimet e përshkruara nga Rubin.

Është e vërtetë e pamohueshme se Thaçi i vitit 1999, sipas portretit që e ndërtuan edhe Rubin dhe Uilliams, nuk ishte prijës i asaj strukture kaotike përplot me personalitete të forta e kryeneçe.

Shumë prej këtyre “sherifëve lokalë” apo financuesve të diasporës në fakt ai nuk mund t’i kontrollonte as në kulmin e fuqisë politike si kryeministër, e lëre më si një 29-vjeçar i armatosur me telefona satelitorë dhe me kompjuterë për të shkruar komunikata. Mos të flasim pastaj për kontrastin që ekzistonte asokohe në krahun e luftës mes autoritetit moral të këtij 29-vjeçari thuajse anonim, me një ikonë kombëtare si Adem Demaçi.

Thaçin në fakt e bëri lider pikërisht momenti i Rambujesë. Mënyra si ai e menaxhoi situatën si përfaqësues i asaj strukture amorfe të UÇK-së, bashkë me shkathtësinë e manovrimit mes grupeve të ndryshme (gjarpër, ma!), si dhe guximi i tij për të udhëtuar gjithandej Kosovës dhe për të përçuar mesazhe tepër të rëndësishme nga jashtë – në rrethanat kur në ballë e kishte shënjestrën prej Serbisë apo edhe dyshimin dhe akuzën e kolegëve për tradhti – është një formë e heshtur lidershipi që rrallë vlerësohet dhe pa të cilën UÇK-ja (dhe Kosova bashkë me të) mund edhe të dështonte në misionin e saj.

Nga përfaqësuesi në lider

Përgjegjësia të cilën Thaçit ia dhanë amerikanët për ta sjellë NATO-n në Kosovë, dhe materializimi i këtij premtimi, e kthyen atë nga një përcjellës mesazhesh dhe artikulues qëndrimesh politike të një grupi rebel, në një lider i cili me kalimin e kohës duhej të respektohej edhe brenda, edhe jashtë.

Ishte Rambujeja dhe marrëdhënia e ndërtuar me amerikanët ajo që Thaçit ia dha atributet e liderit dhe autoritetin publik, të cilin sot prokuroria po mundohet t’ia mveshë për periudhën e luftës. Fuqia e vërtetë e tij vjen pra pikërisht me mbylljen e kapitullit të UÇK-së, drejt të cilit e shtynë amerikanët, duke e inkurajuar për t’u bërë ekuivalent i Gerry Adams.

Dhe ky rol nuk e zhvlerëson aspak guximin e atij djali të ri të UÇK-së për t’i kryer detyrat politike në rrethanat e pushtimit, e të cilat duheshin bërë me një vetmohim që ne që nuk kemi qenë pjesë e luftës as nuk mund ta përfytyrojmë.

Pesha historike e Thaçit qëndron te të kuptuarit asokohe – natyrisht, nën presionin e Albright dhe me ndihmën e spektrit tjetër politik që ishte në Rambuje – se politika është arti i së mundshmes dhe se insistimi me çdo kusht në kërkesa maksimaliste, me koston e humbjes së mbështetjes amerikane, do të kishte pasoja fatale për Kosovën.

Pesha e tij historike konsiston në gatishmërinë e tij për t’ju ndihmuar amerikanëve për ta ndërtuar këtë konsensus, për ta lidhur UÇK-në nyje me NATO-n – ashtu siç kishte bërë Rugova para tij me LDK-në – dhe për të mos u dorëzuar përballë presioneve të kokave të nxehta.

Guximi politik merr forma të ndryshme dhe nuk e nënkupton vetëm përballjen me armikun përmes pushkës – por edhe përballjen me veten dhe me disonancën konjitive të cilën shpesh e prodhon lufta për një kauzë. Guxim është të marrësh vendime të vështira por të domosdoshme, dhe sidomos për t’iu kundërvënë një autoriteti moral si Demaçi.

Një komb nuk ndërtohet pa sakrificën e pakompromis dhe frymëzuese të simboleve të tij. Por një komb duhet të dijë të mos mbahet peng i shenjtërimit të tyre – sepse edhe Demaçi, si çdo njeri, gabon. Dhe historia dëshmoi se në Rambuje ai e kishte gabim, dhe Thaçi e të tjerët patën të drejtë.

Të tjerët si Rugova kompromisin e Rambujesë e kishin më të lehtë, sepse nuk vinin nga ai kamp politik – por për Thaçin e maleve dhe të betimeve për çlirim e bashkim kombëtar, “tradhtia” e një parimi kërkonte para së gjithash luftë me veten – mes arsyes dhe emocionit.

Max Weber, te “Politika si profesion”, i veçon dy lloje të etikës politike: etikën e bindjes dhe etikën e përgjegjësisë. Në rastin e parë, politikani e ndjek bindjen e tij pa kompromis dhe vepron ashtu siç mendon se është e drejtë, pa i marrë parasysh pasojat. Është një e kuptuar narcisiste e politikës që e shpërfill realitetin dhe është më e përshtatshme për aktivistë apo shkrimtarë idealistë.

Në rastin e dytë, atë të etikës së përgjegjësisë, politikani merr vendime duke pasur për konsideratë pikërisht atë se çfarë pasojash një vendim i tij i prodhon. “Veç për shkak se një gjë është e drejtë, nuk do të thotë se është e dobishme!”, thotë shpesh në debate televizive miku i hershëm i Thaçit dhe personazhi i Rambujesë, Dug Gorani.

Rambujeja – me mesazhin e Albright, të përbrendësuar nga Thaçi, se “njëherë duhet ta shpëtoni popullin, pastaj shohim për pavarësinë” – e shënon lindjen e Thaçit si politikan. Sepse ai arriti që këtë mesazh historik ta përçojë dhe të prodhojë konsensus mes njerëzve që e kishin ngarkuar për t’i përfaqësuar.

Pikërisht pasojat e po-së kosovare dhe të misionit të Thaçit për ta siguruar atë dhe për ta sjellë NATO-n në Kosovë, ishin arsyeja përse Serbia e Millosheviqit e shpalli fletëarrestin për Thaçin në mars 1999, mu në periudhën mes Rambujesë dhe Parisit, kur ai ishte duke udhëtuar nëpër Kosovë.

Dhe pikërisht për këtë arsye, sipas dëshmisë nga libri i Chris Hill dhe të përmendur në gjykatë nga avokatët, Serbia asokohe ishte mjaft e lumtur me mesazhet kundërshtuese të Demaçit, sepse shpresonte që në UÇK të mbizotëronte logjika e tij e cila – pa marrë parasysh motivet e sinqerta të Demaçit – do ta largonte Kosovën nga Perëndimi në momentin më kritik.

Nga liderët te liderucët

“Historia nuk përsëritet, por rimon.” Kur i shikon sfidat dhe dilemat e sotme politike të Kosovës, ato janë shumë të ngjashme me ato të Rambujesë, edhe pse me luksin e të jetuarit pa kërcënime ekzistenciale dhe pa tytat e Serbisë mbi kokë. Edhe sot, si atëherë, po përballen dy botëkuptime të ndryshme mbi lirinë dhe sovranitetin.

Njëri krah, ai i pushtetit, llogarit në forcat vetanake dhe në nevojën për t’u subjektivizuar me ngulm në raport me fuqitë e mëdha, dhe e sheh çdo qasje tjetër në rastin më të mirë si nënshtrim dhe objektivizim nga të fortët, e në rastin më të keq si tradhëti.

Ndërkohë tjetri krah subjektivizimin e sheh si proces – policinë e sotme në veri të Kosovës e sheh si rezultat të vendimeve që dikur quheshin tradhti; e vë theksin te fakti se nuk është e rëndësishme vetëm të jesh i lirë dhe sovran, por edhe se çfarë lirie dhe sovraniteti do të kesh, dhe se mbi çfarë aleancash dhe vlerash i ndërton ato.

Mllefi më i madh i kampit kurtian LPK-ist me Thaçin nuk është korrupsioni në qeveritë e tij, por mënyra se si Thaçi e përdori autoritetin e tij politik pas Rambujesë për ta prodhuar historinë e Kosovës tashmë si lider me peshë, duke e orientuar pjesën kushtimisht thënë më nacionaliste dhe më të përvuajtur të shoqërisë drejt konceptit të një shteti qytetar dhe multietnik, dhe drejt paqes historike me Serbinë, mbi bazamentin e sigurisë së ofruar nga NATO.

Rugova dhe LDK-ja e kishin ndërtuar këtë kurs më herët dhe nuk e kishin aq sfidë që t’i pranonin kushtet e Ahtisaarit. Në negociatat e Vjenës si opozitar, e më vonë me 2008 si kryeministër, ishte sërish Thaçi ai prej të cilit kërkohej guxim, për ta përdorur autoritetin e tij patriotik për ndërtimin e një shteti tjetër nga ai për të cilin u betuan ata që ranë martirë.

Dhe për këtë maturi dhe hop cilësor politik, Thaçi e pagoi një kosto, sepse nga ish-kampi i tij politik u vlerësua si një tradhtar i cili pranoi flamuj “lara-lara”, dhe kështu filloi të ndërtohej narracioni politik mbi “tradhtarin serik” që çoi në katapultimin e Vetëvendosjes në pushtet.

Sot, në krye të qeverisë në Kosovë ndodhet një njeri i cili arriti aty duke pështyrë mbi çdo kompromis dhe “tradhti” të Thaçit, por që sot e gëzon çdo fryt të atyre kompromiseve dhe “tradhtive” – policinë dhe ushtrinë, aparatin e plotë shtetëror, njohjen prej 100+ shteteve, infrastrukturën për ta ndërtuar ekonominë.

Fatkeqësisht, as Kurti në rolin e Thaçit, e as Osmani në atë të Rugovës, nuk duken si njerëz që kanë mësuar diçka me vlerë nga historia e paraardhësve të tyre. Në kërkim të fitoreve të Pirros në veri dhe betejave populiste me gogolin e Serbisë, e kanë katandisur shtetin në izolimin më të madh ndërkombëtar.

Dy liderët janë ngujuar në pozicion paralizues nga narracionet populiste që i kanë ndërtuar vetë, dhe nga frika për të marrë vendime të vështira dhe jopopullore. E kundërta, pra, e etikës weberiane të përgjegjësisë dhe e lidershipit të vërtetë.

Historia vërtet ndonjëherë prodhon liderë, dhe liderët prodhojnë histori. Por ka raste kur historia edhe i zhvesh liderët lakuriq, duke i nxjerrë si sheshit si liderucë.

Të ngjashme

Të fundit