19 C
New York
Sunday, September 21, 2025

Buy now

Kur drejtësia kthehet në histori/Dikush po frikësohet nga aureolë e re e Hashim Thaçit

- Advertisement -

Shkruan: Ragip Gjoshi

Hashim Thaçi po rikthehet dhe dikush po dridhet nga e verteta

Në Hagë nuk po zhvillohet vetëm një gjykim. Aty po shkruhet një kapitull i ri i historisë politike të Kosovës. Dhe, ndryshe nga ç’kanë shpresuar kundërshtarët e tij, Hashim Thaçi nuk po del i thyer e as i përlyer, por më i fortë se kurrë. Më i qartë. Më lider.
Frika që ka kapluar pushtetin aktual nuk ka të bëjë me drejtësinë. Ka të bëjë me rikthimin e një figure që nuk është më vetëm një ish-president apo ish-komandant. Është kthyer në simbol. Dhe simbolet nuk rrëzohen lehtë , sidomos kur mbijetojnë edhe gjykimin më të rëndë ndërkombëtar.

Dëshmia e James Rubin, një nga njerëzit kyç të Rambujesë, ishte e qartë: Thaçi nuk ishte prijësi absolut i një ushtrie vullnetare, por ishte i vetmi që kishte guximin dhe mençurinë për ta përfaqësuar Kosovën para botës. Ai që lidhi UÇK-në me NATO-n. Ai që i hapi rrugë çlirimit, dhe më pas pavarësisë.

Por ajo që e bën këtë rikthim edhe më të fuqishëm, është fakti se,Hashim Thaçi do të rikthehet dhe nuk do të lejoi që t’i humbasim miqtë. Ai nuk do të lejoi të humbim disa nga miqtë që i kishte krijuar nga malet e Berishës.Ai nuk do të lejoi zhbërjen e shtetit të Kosovës!
Historia nuk shkruhet me inate. Thaçi sot ka një aureolë tjetër dhe emë të plotë. Ai nuk ka nevojë të bërtasë, sepse e vërteta po flet për të. Dhe këtë po e ndjejnë të gjithë, veçanërisht ata që e ndërtuan karrierën duke e quajtur Thaçin “tradhtar”, por sot po gëzojnë frytet e “tradhtive” të tij: shtetin, njohjet, sigurinë.

Në Kosovë ka nisur një fazë e re e shpresës

Në Kosovë,jo vetëm drejtësia, por edhe historia, po i bën hesapet. Dhe duket qartë se kush ka për t’i kaluar ato, e kush do të mbetet pa emër në fletë e në faqet e saj.Ka një heshtje të tensionuar në horizontin politik të Kosovës. Nuk është heshtje e zakonshme, por ajo që lind para stuhisë ,e përzier me frikë, me pasiguri, por mbi të gjitha me panik nga një rikthim që tashmë po duket i pashmangshëm: rikthimi i Hashim Thaçit, dhe me të, edhe aura e tij e re, më e fortë, më e ngjeshur me legjitimitet historik dhe më e rrezikshme për pushtetin aktual se kurrë më parë.
Duke parë zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku mbrojtja ka filluar ta zbërthejë narrativën e Prokurorisë përmes dëshmive të thella dhe të qëndrueshme, përfshirë edhe atë të James Rubin, bëhet gjithnjë e më e qartë se kjo nuk është një betejë vetëm juridike. Është një betejë për historinë. Dhe ata që e kanë kapur pushtetin përmes një versioni të modifikuar të saj, po e ndjejnë se u po dridhet toka nën këmbë.

(Di)kush po frikësohet?

Kampi politik që përfaqëson Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, e më gjerë, përmes mbështetësve të tij në media të kontrolluara,në disa tastera “akademike” dhe tek disa shoqëri civile, po përpiqet me çdo kusht të kontrollojë narracionin. Nuk është frikë nga drejtësia, por frikë nga historia. Sepse historia po përmbyset. Figura e Thaçit, të cilin për një dekadë e gjysmë kanë tentuar ta portretizojnë si “tradhtar”, “oligark”, “kriminel lufte”, po rilind para syve të një populli që është lodhur nga mashtrimi.
Frikë kanë ata që ndërtuan pushtetin mbi mitin e një Thaçi të rrëzuar. Por tash, kur ai po ngjitet si fitimtar nga një gjykatë ndërkombëtare – jo si politikan, por si figurë që mbijetoi edhe betejën më të rëndë dhe të padrejtë ndaj tij – rrezikohet legjitimiteti i gjithë projektit politik të Vetëvendosjes.

Dëshmitë po flasin ndryshe nga fabrikimet

Nga dëshmitë e Rubin, Uilliams e shpresoj edhe nga dëshmitarët tjerë në pritje,e deri te mbrojtësit në sallën e Hagës, po del në dritë një figurë që s’ka qenë diktues lufte, por negociator paqeje; jo komandant absolut, por artikulues i arsyes në kaos. Thaçi i Rambujesë nuk ishte prijës i të gjithëve, por ishte ai që pati guximin të përfaqësojë të gjithë – në një moment kur Serbia kishte vënë çmim mbi kokën e tij.
Krahasojeni këtë me dëshmitë e atyre si “shumari” i një zonave të Kaçanikut që, siç e thoshte ky mjeran, kinse “dikush i vodhi mëzatin, e për drutë s’kishte as çekiq”(!).Krahasojeni deklaratat e një segmenti që shfrytëzoi luftën për hakmarrje lokale, për pasurim personal,për ndonjë azil,ndonjë grusht metalikësh a për ndonjë gjakim primitiv.
Pra, a do të gjykohet historia nga soji i një kaçanikasi që për ndonjë benefit gënjeu me porosi, apo nga ai që negocioi me diplomatët më të rëndësishëm të botës për të shpëtuar popullin e vet?

Kapitulli i ri i biografisë së Thaçit dhe rikthimi si rikompozim i së vërtetës

Pas çdo fjale në Hagë, po shkruhet një kapitull i ri i biografisë së Hashim Thaçit. Kjo nuk është vetëm çështje e shpalljes fajtor ose i pafajshëm, kjo është çështje e rikthimit të dinjitetit e autoritetit dhe fuqisë morale. Dhe ata që pushtetin e kanë ngritur mbi mitin e një Thaçi të rrënuar, e kuptojnë që me këtë rikthim, do të vdesë edhe miti i tyre.
Prandaj heshtin apo kur reagojnë,këtë e bëjnë me agresivitet, me përbuzje, me sabotim të fakteve historike. Në vend që të përballen me të vërtetën si politikanë, ata reagojnë si aktivistë të ngujuar në të kaluarën, të paaftë për të artikuluar të tashmen dhe për të projektuar të ardhmen.
Kjo nuk është vetëm pabesi njerëzore. Kjo është dëshmi për faktin se Thaçi nuk është thjesht një figurë e dalë nga lufta, por një njeri që është zhvilluar përtej saj ,i cili i ka tejkaluar edhe kufijtë e miqësive që lindin në male, për t’u bërë simbol i një rruge të vështirë, por shtetformuese.

Aureolë e pas-lirimit: Kur Thaçi nuk është më vetëm emër, por symbol

Nuk është e lehtë të rikthehesh në skenë pas një beteje të tillë. Por rikthimi i Hashim Thaçit, i formësuar jo nga pushteti, por nga përballja me drejtësinë ndërkombëtare, është shumë më tepër se një rehabilitim politik. Është një transformim, është një rilindje e figurës së tij si simbol, jo vetëm për luftën, por për përballjen, durimin, guximin dhe maturinë.
Kjo aurë e re që e rrethon nuk vjen më nga titujt zyrtarë, por nga rrëfimi i mbijetesës së tij në një proces që shumëkush mendonte se do ta shkatërronte. Përkundrazi, ai po del më i fortë. Më legjitim. Më shumë lider sesa kurrë.
Në Kosovën e sotme, ku politika është kthyer në spektakël mediokriteti, figura e një lideri të heshtur që po fiton edhe betejën më të padrejtë, po kthehet në magnet shprese për një pjesë të shoqërisë që është lodhur nga demagogët. Një lider që nuk ka nevojë të bërtasë, sepse tashmë historia po flet për të.

Krejt në fund
Nëse drejtësia në Hagë është në rrugë për ta pastruar emrin e Thaçit, atëherë historia e Kosovës po hyn në një fazë të re: ajo e rishkrimit të figurave, ku mitet e liderucëve populistë do të zbehen përballë aureolës së një lideri që i mbijetoi gjithçkaje – përfshirë edhe mitin që u ndërtua për ta shkatërruar…

Prishtinë, më 21 shtator 2025

Të ngjashme

Të fundit