Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij francez, Emanuel Makron, se bombardimi i Mariupolit të rrethuar do të përfundojë vetëm kur trupat ukrainase të dorëzohen, citohet të ketë deklaruar Kremlini, shkruan BBC.
Megjithatë zyrtarët francezë thanë se lideri rus kishte rënë dakord të shqyrtonte planet për evakuimin e civilëve nga qyteti. Franca e quajti situatën në qytet “katastrofike” dhe shtoi se “popullatat civile duhet të mbrohen dhe duhet të largohen nga qyteti nëse dëshirojnë. Ata duhet të kenë akses në ndihma ushqimore, ujë dhe ilaçe që u nevojiten”.
Franca, së bashku me Turqinë, Greqinë dhe disa grupe humanitare, i kanë paraqitur Putinit një plan për të evakuuar qytetin. Zyrtarët thanë se Putin i tha presidentit francez se do të “mendojë” për propozimin e evakuimit të qytetarëve.