Shkruan: Besa Ismaili
Historia po përdhoset jo nga të huajt, por nga vetë ata që janë betuar dhe kanë marrë përgjegjësi për ta mbrojtur.
Institucionet po zhbëhen gur më gur nga ata që duhej t’i ndërtonin tutje, pasi i gjetën të gatshme. Narrativat për lirinë, luftën, e drejtësinë po rishkruhen për interesa të ngushta, personale e klanore dhe kryekëput për efekte elektorale.
Ky proces i përdhosjes së historisë nuk ka filluar tani, është proces sistematik që ka filluar nga paslufta, dhe vetëm për hire dhe ambicie të sëmura politike.
Të njëjtit që kanë ndërtuar karrierë mbi relativizimin e historisë më të re të Kosovës, demonizimin e liderëve të UÇK-së, duke i banditizuar dhe demonizuar ata dhe duke mercenarizuar sakrificat e tyre, duke përkëdhelur narrativat serbe në tryeza ndërkombëtare, papritmas bëhen rojtarë të dinjitetit kombëtar dhe reaguesë ndaj përdhosjes së historisë. Siç!
Ish ministri Sveçla nuk është rojtari i historisë, përtej reagimit të tij ndaj fjalimit të poshtër të eksponentit politik serb, që në rrethana normale shteti e ka për detyrë ta bëj, ai vetëm po bën një përpjekje për të pastruar biografinë e tij prej përdhosësi, gurhedhësi ndaj institucioneve dhe baltosësi të figurave emblematike të luftës dhe të paqes.
Ndryshe, e kanë mundësinë ai dhe kolegët e tij që ta veprojnë kundër përdhosjes së historisë në Hagë dhe të ndihmojnë betejën kundër kësaj përdhosjeje të cilën po e bëjnë të vetmuar dhe pa asnjë ndihmesë, çlirimtarët e Kosovës!