Shkruan: Ragip Gjoshi
Në vendin tim,një i çmenrdur-një vend çmend!Dekorata për udhëheqësit dhe100 euro për studentë…Universiteti i Prishtinës në shërbim të partisë, jo të dijes,në këmbim të votes.
——————————————————————–
Në vendin tim… në tempullin e dijes,aty ku dikur liria lindi, sot ajo përbuzën me ceremoni turpi.Dritëro Agolli, me një poezi brilnte por therëse, na përplas të vërtetën në fytyrë: “Një i çmendur – një vend e çmend.”
Dhe ne, që ende ruajmë gjurmë arsyeje, nuk mund të mos pyesim: Kush është i çmenduri sot që e ka çmendur vendin tonë?
Vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale, një qeveri (jolegjitime)në detyrë shpërndan 100 euro për studentët. Jo si investim në dije, jo si përkrahje reale për rininë, por si karrem elektoral. Tregohet me krenari një rritje statistikore e BVP-së, ndërsa të rinjtë po ikin nga vendi me të njëjtin ritëm që “rritet” ekonomia. Varfëria e studentëve shfrytëzohet jo për ta ndihmuar, por për ta blerë ndërgjegjen e tyre.
Ky nuk është shtet që ndërton dije – kjo është një makinë propagande që përdor mjerimin si mjet për pushtet.
Dhe nuk ndalet këtu. Në kulmin e fushatës, në tempullin e dikurshëm të dijes dhe rezistencës, në Universitetin e Prishtinës – aty ku në vitet ’68 dhe ’81 studentët u ngritën kundër shtypjes – ndodh ceremonia e turpit: Presidentja dhe Kryeministri në largim dekorohen me titullin “Alumni Nderi”.
Presidentja dhe Kryeministri në largim dekorohen jo për kontribut shkencor
Jo për ndonjë kontribut shkencor.
Jo për arritje akademike.
Por si shpërblim për kapjen e institucioneve dhe zhytjen e tyre në militantizëm politik.
Shoqata “Alumni UP” – një organizatë pa bord aktiv, pa mision të qartë, e financuar nga Ministria e Arsimit, e cila udhëhiqet nga partia në pushtet,ia delegon kompetencat Rektorit të UP-së për ndarjen e këtyre titujve. Dhe Rektori flet si zëdhënës partie. E-maili zyrtar i universitetit tingëllon më shumë si komunikatë e Vetëvendosjes sesa si mesazh akademik.
A ka mbetur ndonjë student që guxon të flasë? Ndonjë profesor? Ndonjë zë i lirë?Ku është ajo rini që dikur rriti lirinë me gjak?
Sot, në vend të zërit të protestës, dëgjojmë vetëm heshtje – të blerë me 100 euro.
Në vend të meritës, ndahen dekorata politike.
Në vendin tim, një qeveri pa legjitimitet shpërndan trofe për veten. A ka mbetur ndonjë student që guxon të flasë? Ndonjë profesor? Ndonjë zë i lirë?Ndonjë zë i guximshëm! Ndonjë zë me vizion…
Në vendin tim, shteti zbrazet ndërsa propaganda mbushet.
Në vendin tim, bursa për studentët në nevojë keqpërdoret si karrem elektoral.
Në vendin tim, diplomacia sillet si zgjatim i një partie, jo si përfaqësim i një shteti.Në vendin tim, arsimi denigrohet çdo ditë – jo nga injoranca, por nga qëllimi.
Çfarë po ndodh me ne?
Vendi po zbrazet – jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga shpresa.Studentët kanë dy rrugë: të ikin dhe të votojnë(sa here iu teket liderëve).
Punë tjetër alternative për rininë e vendit tim e tuajit,të rinjët s’kanë!Në vendin tim, studentët nuk kanë më asnjë motiv për të qëndruar – përveçse për të kujtuar se e ardhmja nuk fillon me një zarf 100 eurosh, por nga kutia e votimit.
Dhe në fund, na mbetet vetëm zëri i Agollit, si kambanë që na zgjon:”Në vendin tim e në vendin tënd, një i çmendur – një vend e çmend.”
Mos e lini të çmendet krejt.
Prishtinë, më 7 tetor 2025