Megjithatë, profesori amerikan dhe ish-këshilltari i Barack Obamas sa kishte qenë president i SHBA-së, Charles Kupchan, ka thënë se nuk pret që kjo qasje e re politike e Administratës Trump të ketë ndikim në Ballkanin Perëndimor. Sipas Kupchan, fatmirësisht në rajon s’ka luftë dhe Trump është i preokupuar t’i japë fund luftës në Ukrainë.

“Jo, nuk shoh implikime të menjëhershme për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Trump dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe Hegseth parashtroi disa nga supozimet fillestare të Uashingtonit. Për fat të mirë, në Ballkan nuk ka asnjë luftë që Trump po kërkon të ndërmjetësojë”, ka thënë Kupchan.

Lidhur me paralajmërimet për reduktim të trupave amerikane në Evropë dhe mundësinë e reduktimit të trupave edhe në Kosovë, Kupchan ka thënë se s’parasheh ndonjë tërheqje të SHBA-së nga Evropa apo Kosova, por se pret që SHBA t’i lë në dorë më shumë përgjegjësi aleatëve evropianë.

“Trump është i prirur të lehtësojë rolin e mbrojtjes së SHBA-së në Evropë dhe të shohë evropianët të mbajnë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre. Unë nuk parashikoj një tërheqje të SHBA nga Kosova apo nga Evropa, por pres një dorëzim të më shumë përgjegjësive te aleatët evropianë”, ka potencuar profesori amerikan për Gazetën Express.

Sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe mundësisë që Trump të bëjë presion drejt dy vendeve për gjetjen e një zgjidhjeje që përfshinë modifikime territoriale, Kupchan thotë se nuk mendon që do të ketë një iniciativë të tillë nga Uashingtoni, megjithatë shton se nëse dëshirojnë vetë Kosova e Serbia, SHBA s’do t’I pengojë.

“Trump është mjaft transaksional dhe nuk do të insistonte në parime nëse rregullimet territoriale duket se ofrojnë një shans të mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Kupchan.

Në fund të intervistës, i pyetur se çfarë këshillon lidershipin kosovar teksa në horizont shihet kjo qasje e re  amerikane, Kucphan porosit që dialogu me Serbinë të kthehet në rrugën e duhur dhe që të mos identifikohet Kosova si palë penguese, meqë kjo do të dëmtonte edhe më tej raportet me Amerikën.

“ Këshilla ime është që dialogu me Serbinë të kthehet në rrugën e duhur. Nëse Trump dhe këshilltarët e tij, përfshirë Rick Grenell, e shohin Prishtinën si pengesë për përparimin, marrëdhëniet me Uashingtonin ka të ngjarë të vuajnë”, ka përfunduar profesori amerikan, Charles Kupchan