Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, beson se dialogu do të përfundoj me njohjen e Kosovës nga Serbia, pavarësisht se sa i gjatë do të jetë ky proces.
Ai për Tëvë1 tregon se palëve në këtë fazë do t’iu kërkohen kompromise serioze.
Profesori nga Georgetown University, Charles Kupchan, beson se Qeveria e Kosovës veproi mirë që dëgjoi kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e vendimit për targa.
Sipas profesorit, nuk do të ishte e arsyeshme që të shkaktoheshin probleme për çështjen e targave, prandaj ai thotë se tani është momenti i duhur të bëhen lëvizje të mëdha në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kupchan, problemin kryesor e sheh tek Serbia që akoma nuk është e gatshme ta njoh pavarësinë e Kosovës.
“Problemi mes të dyja vendeve nuk është tek çështja e targave, por tek mungesa gatishmërisë së Serbisë që ta njoh Kosovën si shtet të pavarur. Mendoj se Qeveria e Kosovës veproi mirë që dëgjoi këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikë që ta shtyje vendimin për targa. Nuk do ishte e mençur të shkaktoheshin probleme për targat e makinave, prandaj pajtohem me Kryeministrin Kurti që tha se duhet të ndërmerren hapa të mëdhenj që të përfundoj ky proces”, tha ai.
Ish-këshilltari i presidentit Biden, mendon se në këtë fazë të dialogut duhet të ketë një përfshirje edhe më aktive të SHBA-së në dialog. E njohjen e Kosovës nga Serbia ai e sheh të nevojshme, pavarësisht se një gjë e tillë nuk parashihet në propozimin franko-gjerman.
Ai tregon se në fazën finale do të ketë kompromise serioze nga të dyja palët.
“Mendoj se në këtë proces të komplikuar duhet përfshirje më e madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duhet të ketë një koordinim të ngushtë mes SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian sepse nuk ka rrugë tjetër. Jam i bindur në fund të këtij procesi Kosova do të njihet nga Serbia, por duhet keni parasysh se do të kërkohen kompromise serioze nga të dyja palët. Qeveria e Serbisë dëshiron me çdo kusht të siguroj një formë autonomie për serbët që jetojnë në Kosovë”, shtoi Kupchan.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se plani franko-gjerman është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, kurse presidenti serb Vuçiq është treguar deri më tani më i rezervuar karshi këtij plani.