Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është dashur të refuzojë të bisedojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e thirrur më 26 qershor nga Bashkimi Evropian.
Një gjë e tillë, sipas tij, “nuk shkon në dobi të Kurtit”.
“…sepse, nën një, Kosovën e portretizon si palë më kokëfortë dhe, nën dy, mosmarrëveshjet afatgjate nuk zgjidhen kurrë me ultimatume”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të mërkurën se Kurti e kushtëzoi vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Borrell tha se Vuçiq nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht kushtet e Kosovës.
Kupchan, tani profesor në Universitetin Georgetown, thotë se udhëheqësit e dy vendeve, herët a vonë, do të duhet të bëjnë “kompromise të vështira” dhe shpjegon se cilat janë ato.
Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht përpjekjeve, Bashkimi Evropian nuk arriti t’i takonte bashkë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kurti nxori disa kushte që Vuçiq nuk i pranoi. A mund ta konsiderojmë këtë situatë si një bllokim?
Charles Kupchan: Ky rund negociatash është sigurisht një bllokim. Fakti që bisedimet vazhdojnë, është një shenjë e mirë, por sigurisht se janë bërë jashtëzakonisht të vështira. Ka pasur shumë pak përparim që nga marrëveshja verbale [për normalizimin e marrëdhënieve], që është bërë e njohur si Marrëveshja e Ohrit.
Unë mendoj se nuk është në dobi të Kurtit të refuzojë të ulet në tryezën e bisedimeve, sepse, nën një, një gjë e tillë e portretizon Kosovën si palë më kokëfortë dhe, nën dy, mosmarrëveshjet afatgjate nuk zgjidhen kurrë kur njëra palë jep ultimatume ose refuzon të bisedojë. Palët duhet të ulen ballë për ballë dhe t’i zgjidhin çështjet në tryezë.
Mendoj se do të ishte më mirë sikur Kurti të kishte biseduar me Vuçiqin dhe t’i kishte nxjerrë në tryezë shqetësimet e tij.
Por, të nxjerrësh parakushte dhe të largohesh nga tavolina, sepse ato parakushte nuk janë plotësuar, nuk më duket qëndrim konstruktiv.
Radio Evropa e Lirë: Si i vlerësoni ju parakushtet e tij?
Charles Kupchan: Mendoj se dy prej tyre janë të arsyeshme – një duhet të shqyrtohet. E arsyeshme është kërkesa [për dorëzimin e] Radoiçiqit, i cili ka pranuar se ka marrë pjesë në gjakderdhjen në Banjskë. Qoftë autoriteti ligjor i Kosovës ai që vepron, apo autoriteti ligjor i Serbisë, ai është një individ që duhet të sillet para drejtësisë.
Kërkesa e dytë e arsyeshme ka të bëjë me letrën [e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq]. Mendoj se ajo letër është provokuese, në mënyrë të panevojshme, sepse Marrëveshja e Ohrit nuk specifikon njohjen, nuk specifikon se Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, por fokusohet në normalizim. Ne e dimë se normalizimi është hap drejt njohjes përfundimtare, por nuk është produktive për Serbinë që të nxjerrë një deklaratë të tillë bardh e zi.
E, sa i përket këmbënguljes së Kurtit që Vuçiq ta nënshkruajë marrëveshjen, unë mendoj se ky është një argument më i dobët. Sepse, sipas mendimit tim, Vuçiq me të drejtë beson se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përpara se ta formalizojë marrëveshjen.
Radio Evropa e Lirë: Por, kanë kaluar nëntë muaj nga sulmi në Banjskë dhe Radoiçiq është ende i lirë. Kush duhet të mbahet përgjegjës për këtë?
Charles Kupchan: Marrë parasysh se Radoiçiq e ka pranuar fajësinë, në radhë të parë, Qeveria e Serbisë, gjykatat e Serbisë e kanë për detyrë të veprojnë. Deri më tani, ato nuk kanë arritur që ta mbajnë përgjegjës. Dhe, mendoj se Kurti ka të drejtë kur thotë se kjo është e papranueshme.