5.7 C
New York
Thursday, December 12, 2024

Buy now

Kupchan: Kosova të bëhet sërish partner me ShBA-në dhe BE-në, do ta këshilloja Kurtin të mos jetë në anën e kundërt të Trumpit

- Advertisement -

Ish-drejtori për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA, profesor Charles Kupchan, beson se Kosova duhet t’i përkushtohet koordinimit me aleatët dhe të “ulet në tavolinë” me Serbinë, për të vazhduar rrugën euroatlantike të Kosovës. Kur është fjala për kthimin e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump, ai ka thënë se ai do të bisedojë me ata individë që beson se mund t’i zgjidhin problemet.

Ai ka theksuar se Trump është i njohur për qasjen e tij transaksioniste dhe se do të përpiqet të bëjë marrëveshje – qoftë në Ballkan, Ukrainë apo Lindjen e Mesme.

Sipas tij, Trump do të bisedojë me ata individë që ai beson se mund t’i zgjidhin problemet.

“Sikur unë do ta këshilloja Kurtin, do t’i thoja: Kujdes! Ju nuk dëshironi të kaloni në anën e gabuar te Trump-i. Ju nuk duhet të jeni dikush që qëndron në rrugën e një përparimi dhe marrëveshjeje të mundshme që Trump do të donte ta paraqiste si të tijën”, përfundon Kupchan.

Ai ka shtuar se Kosova duhet të balancojë interesat e saj me pritjet e aleatëve të saj.

“Unë nuk mendoj se është e vështirë për të bërë këtë. Kosova duhet të shmangë hapat që konsiderohen provokues dhe të futet në një situatë ku është e gatshme të ulet ballë për ballë me Serbinë, BE-në dhe SHBA-në. Duhet të bëhet sërish partner, i cili përpiqet t’i çojë gjërat përpara”, ka thënë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

Duke folur për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, Kupchan ka treguar se Kosova është dënuar për mosbindje, duke theksuar se siguria dhe stabiliteti i Kosovës varet nga koordinimi me aleatët.

Sipas tij, pa partnerë Kosova nuk do të ishte Kosovë.

“Prandaj, mendoj se gjëja e fundit që është në interes të Kosovës është të djegë urat e saj me ato vende që janë shumë të rëndësishme për mirëqenien e saj dhe për integrimin e saj në komunitetin euroatlantik. Shpresoj që Kurti dhe liderët e tjerë potencial do ta kuptojnë këtë dhe do të kthehen më shumë kah partnerët bashkëpunues, siç e kërkojnë BE-ja dhe SHBA”, vlerëson Kupchan.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit