Janë zhvilluar dy ndeshje mjaft interesante në Kupën e Afrikës nga ora 20:00.
Gaboni dhe Maroku kanë zhvilluar një duel interesant i cili është mbyllur me barazim 2-2.
Gaboni mbylli 45 minutëshin e parë me rezultat 1-0, falë golit të mesfushorit Jim Allevinah i cili realizoi në minutën e 21-të.
Sofiane Boufal barazoi shifrat për 1-1 në minutën e 74-të, përpara se Gaboni sërish të kalonte në epërsi pas një autogoli nga mbrojtësi Aguerd në minutën e 81-të.
Ylli i PSG-së, Achraf Hakiimi bëri heroin duke i fituar një pikë kombëtares së tij pasi realizoi golin e barazimit në minutën e 84-të.
Maroku mbyll fazën e grupeve si lidere me 7 pikë, e ndjekur nga Gaboni me 5 pikë.
Në anën tjetër, Gana është eliminuar në fazën e grupeve pasi ka pësuar disfatë nga Ishujt Komoros.
Mesfushori El Fardou Ben i dha epërsinë Komorosit që në minutën e 4-të, kurse në minutën e 25-të Andre Ayew u ndëshkua me karton direkt të kuq, për ta lënë skuadrën e Ganës me 10 futbollistë.
Kjo sigurisht se përkeqësoi gjërat për ganezët, ndërsa rezultati u dyfishua nga Mogni në minutën e 62-të.
Ganezët sidoqoftë, përkundër se ishin me 10 futbollistë, arritën që të bëjnë kthesën e madhe, duke e barazuar rezultatin.
Fillimisht me anë të sulmuesit Richmond Boakye i cili realizoi në minutën e 64-të, përpara se mbrojtësi Alexander Djiku realizoi në minutën e 77-të.
Megjithatë, rikthimi i Ganës dështoi, pasi Ahmed Mogni realizoi sërish për Komorosin në minutën e 85-të për rezultatin 3-2 që ishte edhe epilogu final i ndeshjes.
Gana përshëndetet nga Kupa e Afrikës me këtë humbje pasi është e vetmja në grupin C që mbetet pa fitore, me dy humbje dhe një barazim, teksa Ishujt Komoros gjendet në pozitën e tretë me tre pikë dhe ka një shans për të kaluar grupin nëpërmjet skuadrave që përfundojnë në pozitat e treta të çdo grupi.