Publicisti Veton Surroi ka reaguar ndaj deklaratave të Xhavit Haliti, i cili tha se delegacioni i Kosovës në SHBA gjatë vitit 1999 kishte propaganduar kundër UÇK-së dhe Shqipërisë.
Në një shkrim në Facebook, Surroi e quajti “krejtësisht të pavërtetë” këtë pretendim, duke thënë se delegacioni që kishte takuar ish-presidentin amerikan Bill Clinton kishte mbrojtur kauzën e Kosovës, duke kërkuar mbrojtje amerikane.
“Habitë se si i njëjti rrëfim naiv (‘e kemi siguruar procesverbalin’) qarkullon pas 26 vjetësh. Delegacioni që ka takuar Clintonin ka mbrojtur kauzën e Kosovës, duke kërkuar mbrojtje vendimtare amerikane për vendin, nuk është marrë me përgojime as atëherë e as ndonjëherë tjetër. Kam pritur më shumë respekt për të apostrofuarit që nuk janë më ndër ne”, ka shkruar Surroi.
Sot, Haliti në emisionin “Frontal” në T7 kishte thënë se delegacioni i përbërë nga Ibrahim Rugova, Veton Surroi dhe Fehmi Agani kishte akuzuar ish-kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano, si ekstremist që financonte grupet e armatosura në Kosovë.