Dardan Krasniqi, kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se i ka gjashtë ari tokë që ia ka lënë babai, por që është i gatshëm t’i shes për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë, shkruan Gazeta Metro.
Janë vëllezër, por duket se qëndrimet politike nuk i kanë krejt të njëjta. Burri e kunati i ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiut, kanë dhënë deklarata të ndryshme për ish-krerët e UÇK’së që po gjykohen në Hagë, sidomos për Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Dardan Krasniqi është vëllau i Alban Krasniqit, bashkëshortit të ministres së drejtësisë. Të dy aktivistë të partisë në pushtet, Vetëvendosjes. Madje, Albani në zgjedhjet e fundit ishte edhe kandidat për kryetar të Malishevës.
Si veteran i luftës së UÇK’së, Dardan Krasniqi në Kanal 10 ka bërë një deklaratë ‘të madhe’, në lidhe me ish-krerët e UÇK’së që ndodhen në Hagë.
Ai ka thënë se i ka gjashtë ari tokë që ia ka lënë babai, por që është i gatshëm t’i shes për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë.
“Unë 6 ari tokë i kam që m’i ka lënë baba edhe sot jam gjendje at pasuri që e kam me shit për këtë njerëz që mbrohen atje, për arsye që nuk ka vlerë më të çmueshme se këta me u mbrojt atje”, ka thënë Krasniqi.
Ai edhe më herët ka folur fjalë të mëdha për ish-presidentin Hashim Thaçin e Kadri Veselin dhe kontributin e tyre në luftë.
“Hashim Thaçit e Kadri Veselit në Malishevë ia kemi dhënë të gjitha në periudhën 98-99. Të gjitha ia kemi dhënë, s’ka familje që ka dhënë më shumë, asnjëherë nuk jemi pishman. Më vjen kërdi kur shoh bashkëaktivistë të mi duke e sharë familjen Haradinaj, tmerrohna. Për qata kena dështu si shoqëri me nxjerrë vlera në këtë vend. Mua kjo më dhemb. Çuditem kur njerëzit e shajnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin që mbahen në Hagë, edhe iu thojnë mos u kthefshi kurrë. Jo more zotëri. Është çoroditje nëse thua nuk je me mu, je armiku im. Sado që të jetë jeta, kategoria e UÇK-së, e këtyre komandantëve, janë të shenjtë. Njerëzit nuk i njohin çka kanë bo. Unë çuditem kur njerëzit që nuk e njohin Hashim Thaçin e dalin thonë s’kanë luftu. Ku e njeh more zotëri. Ku e njeh a ka luftu a ska luftu. Ai e ka përfaqësuar një isntiucion brenda UÇK-së”, deklaroi Dardan Krasniqi para disa ditëve.