Njohësi i çështjeve të sigurisë, Ilir Kulla ka folur për situatën rajonale dhe mundësinë e një lëvizjeje të presidentit amerikan, Donald Trump, për prezantimin e një plani që mund të përfshinte edhe njohjen e Kosovës nga Serbia.
Ai në emisionin “Matrix” të së hënës në Tëvë1, ka shprehur shpresën që kjo të ndodhë, por ka theksuar se prioritet për rajonin mbetet rritja ekonomike.
Kulla ka nënvizuar se politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në mësimin dhe zhvillimin ekonomik, në vend të vizitave ceremoniale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Le ta shpresojmë. Rajoni nuk mund të vazhdojë kështu pa rritje ekonomike. Nuk do të vij presidenti Trump të menaxhoj ekonominë tonë. Në vend se të shkojnë dhe të rrinë atje, të bëjnë fotografi dhe konferenca, politikanët duhet të mësojnë nga ekonomia, sepse shtylla e parë është ekonomia; nga ajo lind gjithçka,” ka thënë Kulla.
Ai gjithashtu ka kritikuar edhe mungesën e infrastrukturës në vendet shqiptare, duke veçuar hekurudhat:
“Në vitin 2026 Shqipëria nuk ka hekurudha. Nuk është normale që vendet që duan të hyjnë në Bashkimin Evropian të mos kenë funksionale asnjë hekurudhë. Na duket sikur jemi në qendër të vëmendjes botërore, por askush nga miliarderët e botës nuk ka kaluar asnjë herë të vetme për të parë se çfarë ndodh në këto vende”, ka shtuar Kulla.






