Ekipi kosovar i xhudos po vazhdon ta bëjë Kosovën krenare anë e mbanë botës, ku sot iu shtuan edhe dy medalje të tjera në sukseset e arritura.
Në kuadër të kategorisë deri në 63 kilogramë, Fazliu e mposhti në finale xhudisten spanjolle Cristina Cabana Perez, kështu duke ia siguruar Kosovës medaljen e dytë të artë në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.
Në anën tjetër, Akil Gjakova ishte në garë për medaljen e bronztë, ku edhe e fitoi atë kundër xhudistit italian, Manuel Lombardo, përcjell lajmi.net.
Tani, trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka reaguar për sukseset e sotme në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.
“Day 2 … Lojërat Mesdhetare Algjeri Plus dy copa! Një e artë një e bronztë … Laura konfirmoj që po rritet drejt majave Botërore. Akili ju rikthehet medaljeve i bronztë me shkëlqim ari. Arber Kullashi pati garën e parë serioze për të rritur, duhet ende punë deri te medaljet! Kosova po bëhet dita ditës më e madhe nëpër Botë”, shkroi Kuka në “Facebook”.