Në 35-vjetorin e vdekjes së heroit Fadil Vata, të premten janë bërë homazhe te varri i tij në Sallagrazhdë dhe pranë shtatores në Suharekë.
Në homazhe kanë marrë pjesë, bashkëveprimtarë, qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se heroi Fadil Vata ka dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës.
“Sot kujtojmë heroin Fadil Vata nga Sallagrazhda. Ai ishte ideologu dhe intelektuali që dha gjithçka për lirinë e vendit. Ndër breza u frymëzuam nga veprat e tij dhe natyrisht të njëjtën ua kujtojmë edhe atyre që do të vijnë, si shembullin e dashurisë dhe sakrificës për atdheun”, ka thënë Muharremaj.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se veprimtaria e heroit Fadil Vata është në themelet e UÇK-së.
“Në 35-vjetorin e vdekjes, në Suharekë, në homazhe te shtatorja e Heroit të Kombit, Fadil Vata – ndër aktivistët e parë për të drejtat e shqiptarëve, hapat e të cilit janë në gurthemelin e luftës së UÇK-së për lirinë që gëzojmë sot. Përherë përkulje para sakrificës së heronjve që i sollën Kosovës lirinë e pavarësinë. Lavdi!”, ka thënë Hoxhaj.