Nga Tahir Tahiri, bashkëluftëtar i dëshmorit
Bekim Hysenaj – emër që përjetësisht do të mbetet në zemrat tona, në kujtesën e një populli që u lind për liri dhe e fitoi atë me gjakun e bijve më të mirë. Bekimi ishte më shumë se një luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ishte një vëlla, një mik, një udhëheqës i palëkundur në betejat tona kundër okupatorit.
Ishte pranverë kur Bekimi ra dëshmor, në atë 21 mars të vitit 1999, kur natyra po rilindte, por Kosova vazhdonte të derdhte gjak për liri. Në ato ditë të vështira, kur jeta dhe vdekja ishin të ndara vetëm nga një plumb, Bekimi qëndronte gjithmonë në ballë të luftës, me zemrën plot guxim dhe besimin e palëkundur se fitorja ishte e jona.
Si shok e si epror, ai na mësoi çfarë do të thotë të qëndrosh i pathyeshëm për idealin më të shenjtë – lirinë e atdheut. Sot, ai nuk është fizikisht me ne, por fryma e tij jeton në çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës, në çdo flamur që valon i lirë, në çdo rreze dielli që lind mbi këtë dhe të shtrenjtë.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Bekim Hysenaj! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!