Ish ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se propozimi nga Edi Rama për një tryezë të përbashkët në mes të Kosovës dhe Serbisë deri në gjetjen e një zgjidhjeje, nuk ishte e menduar mirë.
Gjatë një interviste në emisionin “Respublika” në Tëvë1, Kuçi foli për propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ku tha se fillimisht idenë e tij nuk do të duhej ta thoshte në konferencë për medie, por t’ia propozonte partnerëve në Prishtinë, në këtë rast qeverisë dhe kryeministrit.
Kuçi madje tha se një propozim i tillë tek shqiptarët e Kosovës tingëllon si paternalizëm (mbikëqyrje apo autoritet mbi dikë tjetër).
Kuqi tha se do të donte që në ditët e sotme të ketë një kohezion nacional duke përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, edhe shqiptarët në Maqedoni dhe kudo që jetojnë, në Preshevë, Bujanoc, Mal të Zi apo Kosovë.
“Por megjithatë, pasi që e ka thënë publikisht, unë do ta ftoja në radhë të parë që kryeministri i Shqipërisë, idetë e tilla, nëse i ka eventuale t’i diskutoj me partnerët në Prishtinë. Në këtë rast me Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin sepse ai është partner zyrtar. E dyta, unë mendoj që idetë e tilla që ai mund të ketë informata nga partnerët ndërkombëtar, mendoj që procesin e internalizimit e ka pak telashe ai. Pse po e them. Shndërrimin në ide të brendshme. E para duhet të thuhet jopublikisht, duhet pak partneritet, të tregojmë pak nga ka ardh ideja, qka po mendohet, kush janë akterët, cilat janë temat, afatet kohore e kështu me radhë. E treta unë mendoj që duhet ta ketë parasysh pak, e që unë jam i bindur që ai nuk e njeh pak mentalitetin e Kosovës. Kosova nuk e pranon ndjenjën e paternalizmit, edhe me qenë mirë. Besoj që këtë e kemi vërejt edhe te zoti Rugova, zoti Thaçi dhe te zoti Kurti tash, te secili apo cilido që mund të jetë, partenalizmi. Ne e pranojmë partneritetin, partenalizmin pak më vështirë”, u shpreh Kuçi.
Madje, ish zëvendëskryeministri Kuçi tha se një propozim i tillë është shumë temë e rëndë saqë edhe po të vije nga presidenti amerikan Biden, zor do të pranohej.
“E fundit, është shumë temë me rëndësi kjo, nuk është temë e lehtë që mund të pranohet me një deklaratë për shtyp nga kushdo qoftë, kjo është temë shumë e rëndë që edhe me ardhë presidenti Biden me thënë do të ishte bukur e rezistueshme e mendueshme”, u shpreh Kuçi.