Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Një ditë më parë emisari i BE-së, Miroslav Lajçak e përdori një metaforë për të krahasuar moszbatimin e marrëveshjeve nga Kosova dhe Serbia.
“Më duhet të them se është për të ardhur keq që palët nuk treguan fleksibilitetin dhe vullnetin e nevojshëm politik për të përmbushur atë që kishin premtuar në Ohër”, ka thënë ai.
“Për të përdorur një metaforë të vjetër, “ne i kemi çuar kuajt në ujë, por ata ende refuzojnë të pinë”, ka shtuar Lajçak.
Tutje, ai ka thënë se “nuk mendon se për këtë mund të fajësohet dialogu apo BE-ja, sepse përgjegjësia për respektimin e obligimeve dhe rrjedhimisht për zgjedhjen e rrugës së ardhshme për qytetarët e tyre, është e liderëve të Kosovës dhe Serbisë”.