Në fillim të këtij viti, u njoftua se Kosova ka blerë raketat anti-tank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, data e arritjes së tyre në vend, nuk dihet ende. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë në dy muajt e mbetur të vitit 2024, por prej 2025 e tutje.
Maqedonci ka deklaruar se “janë në diskutime për ardhjen e sistemeve në kohën e duhur”. Mes tjerash, ministri u shpreh se nuk beson që një gjë e tillë të ndodhë gjatë kësaj periudhe dy mujore.
“Jemi duke vazhduar aspektin e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga kontrata për Javelin, kemi ekzekutuar pagesëne parë në muajin mars të këtij viti, deri në fund të këtij viti, do ta ekzekutojmë edhe këstin e dytë për blerjen e sistemeve Javelin. Jemi në diskutime për ardhjen e sistemeve Javelin në kohën e duhur. Edhe tash në vizitën e fundit në ShBA, gjeneral Jashari, komandanti i FSK-së, ka ngritur çështjen e sistemeve Javelin, normalisht që këtij viti i kanë mbetur edhe përafërsisht dy muaj, dhe nuk besoj që do t’i kthemi gjatë kësaj periudhe dy mujore.” – ka thënë ai në “Dpt te Fidani”.
Sipas Maqedoncit, sistemet do të jenë në Kosovë “prej vitit 2025 e tutje”:
“Besoj që do t’i kemi shumë shpejt. Ideja është që është t’i kemi në kohën kur na nevojiten për validim dhe certifikim të njësiteve tona, viti 2025 e tutje është periudhë kur do të kemi nevojë për to. Nuk po e them saktësisht në vitin 2025, por prej vitit 2025 e tutje gjithsesi do ta kemi”.
Në kohën e konfirmimit të blerjes së këtyre sistemeve, në Kosovë ishin shkaktuar shumë polemika e reagime. Deputeti Ramush Haradinaj kishte njoftuar se ai kishte nisur procedurat për furnizim me “Javelin” sa ishte kryeministër i Kosovës.
“Po lexoj se si Kosova paska bërë kërkesë Shteteve të Bashkuara për të blerë raketa anti-tank Javelin. Lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite!
Për informimin e opinionit publik, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm!” – shkruante Haradinaj.
Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar ashpër ndaj këtij njoftimi të Haradinajt, madje, edhe ishin tallur me të.
“Ramushi: phardje e kam nënshkruar marrëveshjen për raketat Javelin.” – shkruante deputetja e VV-së, Fitore Pacolli në një status që do të merrte shumë kritika.
Megjithatë, Maqedonci ia kishte njohur meritat Haradinajt, rreth nisjes së procedurave për blerjen e “Javelin”
“Qysh në vitin 2019, janë identfikuar nevojat operacionale të FSK-së. Kodi FMS është hapur gjatë Qeverisë Kurti 1, më saktësisht në prill të vitit 2020, por është iniciuar më herët me një letër që është dërguar nga ish-kryeministri Haradinaj për Departamentin e Shtetit edhe pas hapjes së kodit në prill të vitit 2020 janë adresuar kërkesat jo vetëm për sistemin “Javelin” por për të gjitha sistemet tjera dhe e gjitha ka kulmuar në këtë tre vjeçar me buxhet shtesë. E gjithë rritja e blerjeve ushtarake është në këto tri vjet.” – kishte thënë Maqedonci, transmeton Nacionale.