Pasuria e raportuar në Agjencinë Kundër Korrupsion nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka shkaktuar debat të ashpër mes tij dhe gazetarit Lirim Mehmetaj.
Në Debat Plus ata kanë debatuar në lidhje me 48 mijë euro blerje të deputetit Rexhaj, për të cilat Mehmetaj tha se nuk përputhen me të hyrat vjetore të tij dhe bashkëshortes së tij.
“Ku i ke marrë 48 mijë euro? Ku i ke marrë? Ku i ke marrë paret?” – ka thënë ai.
Kjo e ka nervozuar shumë deputetin Rexhaj, i cili filloi të bërtasë në studion e debatit.
“Shikoi krediat e mia sa i kam unë aty, hin kqyri kreditë. Hin kqyri kreditë. Po kqyri qaty kreditë, i ke përmbi 100 mijë euro kredi.” – u shpreh Rexhaj.
Ndërkohë, gazetari Mehmetaj ka deklaruar se disa blerje të Rexhajt kanë kapur shifren e rreth nëntë mijë euro, për shkak që sipas tij, për blerje mbi 10 mijë euro, pagesa duhet të bëhet përmes bankës.
“Po nuk e di bre pse se do janë për një shoqe, do për një familje, do janë të përbashkëta.” – u shpreh më pas deputet Rexhaj.
Këtu ka ndërhyrë sërish gazetari, i cili e pyeti edhe një herë se ku i ka marrë paratë.
“Blerje gjatë vitit 2021, 48 mijë euro brenda vitit 2021 blerje, rrogën e ki 22 mijë euro bashkëshortja juaj 7 mijë, qysh i ke bo 48 mijë euro në vit. Ku i ke marrë paret?” – tha ai.
Megjithatë, në fund deputeti i partisë në pushtet u përgjigj me këto fjalë: “A ka temë tjetër? Nuk të jap përgjigje. Nuk ke as kredibilitet moral me më pyet”.