0.7 C
New York
Sunday, January 18, 2026

Buy now

“Ku është prokuroria?”, Manipulim industrial i votave, skandali që po thellohet

- Advertisement -
Skandali i manipulimit të votave brenda listave të partive politike në zgjedhjet e 28 dhjetorit po thellohet dita-ditës, teksa rinumërimi në disa komuna ka nxjerrë në pah mospërputhje masive midis votave në kuti dhe atyre të raportuara në formularë. Ajo që fillimisht u cilësua si “gabime teknike” po shndërrohet në një prej krizave më serioze të integritetit zgjedhor në vitet e fundit. Reagimet nga politika dhe shoqëria civile janë ashpërsuar, ndërsa një thirrje e përbashkët po del në sipërfaqe: hetim i plotë, rinumërim i përgjithshëm dhe ndëshkim i organizatorëve.

PDK: Vota e qytetarëve është e shenjtë, çdo cenim apo manipulim i votës është i papranueshëm

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me procesin e rinumërimit të votave, duke shprehur vëmendje të shtuar ndaj parregullsive të raportuara në disa komuna. Përmes një deklarate zyrtare, PDK ka theksuar se çdo tentativë për tjetërsimin e vullnetit qytetar është një goditje ndaj demokracisë.

Subjekti politik ka bërë të qartë se standardi i tyre mbetet trajtimi i barabartë dhe i kujdesshëm i çdo vote, deri në certifikimin final. PDK u ka bërë thirrje organeve kompetente, përfshirë KQZ-në, që të zbardhin çdo dyshim, duke garantuar se rezultati përfundimtar do të jetë pasqyrë e saktë e vullnetit të sovranit.

Haradinaj: Procesi është komprometuar rëndë; çdo votë duhet rinumëruar

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte ndër të parët që reagoi pas publikimit të të dhënave të reja nga QNR, duke i konsideruar gjetjet “alarmante”. Sipas tij, përmasat e devijimeve janë aq të mëdha sa nuk mund të shpjegohen me gabime njerëzore.

“Procesi zgjedhor i 28 dhjetorit është rëndë i komprometuar. Këto nuk janë lëshime, janë ndërhyrje të qëllimshme,” tha Haradinaj, duke shtuar se rinumërimi i pjesshëm nuk e kthen besimin publik. Për të, situata kërkon një rinumërim total të votave, kuti për kuti, në të gjithë vendin.

Haradinaj paralajmëroi se nëse institucionet nuk veprojnë, kriza e besueshmërisë do të thellohet dhe do të cenohet legjitimiteti i institucioneve që do të dalin nga ky proces.

Quni: Jam viktimë e një operacioni kriminal, personaliteti im është njollosur

Skandali i manipulimeve mori përmasa edhe më të ndërlikuara kur kandidati i LDK-së, Anton Quni, reagoi fuqishëm ndaj zbulimeve në Prizren. Ai deklaroi se rritja e votave në emrin e tij është bërë “plotësisht pa dijeni dhe pa vullnetin” e tij.

“Çdo rritje artificiale votash në emrin tim është jashtë parimeve të mia dhe nuk përfaqëson as mbështetjen reale që kam,” u shpreh Quni. Ai e quajti procesin që e ka prekur atë një “operacion kriminal” që ka cenuar rëndë reputacionin dhe karrierën e tij politike.

Quni ngriti dy pyetje të drejtpërdrejta: pse u zgjodh pikërisht emri i tij dhe kush janë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e manipulimeve në Qendrën e Numërimit.

Ai kërkoi falje publike kandidatëve të tjerë të cilëve mund t’u jenë tjetërsuar votat në favor të tij dhe deklaroi gatishmërinë për të bashkëpunuar me Policinë e Prokurorinë që rasti të hetohet deri në fund.

“E vërteta është mbrojtja ime e vetme,” përfundoi ai.

Selmanaj: Manipulim industrial, gjithë vendi duhet rinumëruar

Edhe një tjetër zyrtar i LDK-së, kryetari i Degës së Prizrenit Driton Selmanaj, reagoi ashpër duke kujtuar paralajmërimet e tij të hershme për manipulime në zgjedhjet e 2025-ës.

Sipas Selmanajt, ajo që po zbulohet në Prizren “nuk është rast i izoluar”, por një “dukuri e përhapur në të gjithë vendin”.

“Të gjithë kandidatëve, pa përjashtim, u janë prekur votat. Kjo dëshmon një plan të mirëorganizuar për abuzim masiv,” tha ai.

Selmanaj rikujtoi se kërkesat për rinumërim të përgjithshëm në këtë dhe zgjedhjen paraprake ishin injoruar nga KQZ-ja dhe partitë politike, çka sipas tij krijoi terren për përsëritjen e së njëjtës skemë.

Ai kërkoi që KQZ, Prokuroria dhe institucionet tjera të veprojnë menjëherë, duke nënvizuar se vetëm rinumërimi i plotë në nivel vendi mund të rikthejë besimin në proces.

Cakolli: Manipulimet nuk janë bërë rastësisht, hetimet duhet të përfshijnë edhe kandidatët

Nga shoqëria civile, Eugen Cakolli e vlerësoi situatën edhe më rëndë. Ai i cilësoi manipulimet si “me përmasa industriale”, duke treguar se mospërputhjet e votave në disa tavolina arrijnë qindra vota të shtrembëruara, ndërsa në nivel komune “mijëra”.

Cakolli theksoi se emrat e komisionerëve dihen, por sipas tij ata nuk kanë vepruar vetëm. “Këto ndërhyrje janë pjesë e skemave më të gjera. Ka gjasa reale që në manipulim të jenë të përfshirë edhe vetë kandidatë të caktuar,” deklaroi ai.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile kërkoi nisjen urgjente të hetimeve penale dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve potencialë – nga komisionerët deri te kandidatët që mund të kenë përfituar.

Reagimet e njëpasnjëshme nga aktorë politikë dhe shoqërorë e kanë bërë të qartë se manipulimi i votave brenda listave nuk është incident i vogël, por një problem sistemik që godet vetë fondacionin e demokracisë.

Nëse hetimet nuk nisin shpejt dhe me transparencë të plotë, vendi rrezikon të mbetet me një proces zgjedhor të delegjitimuar dhe një besim publik të cenuar.

Të ngjashme

Të fundit