23 C
New York
Sunday, May 18, 2025

Buy now

Kthehet në rigjykim rasti në të cilin babë e bir ishin dënuar me 36 vjet burgim për vrasjen në Rahovec

- Advertisement -

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin në të cilin babë e bir- Enver dhe Emir Sylka ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Gjakovë dhe ishin dënuar me 36 vjet burgim (së bashku) për vrasjen e N.V., në shtator të vitit 2023 në Rahovec.

Themelorja në Gjakovë vendimin e kishte marrë më 16 shtator 2024, sipas të cilit Emir Sylka për “Vrasje të rëndë” është dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” me 1 vit burg. Ndaj tij, Gjykata ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 23 vitesh. Ndërsa, i akuzuari Enver Sylka për “Vrasje e rëndë në shtytje” është dënuar me 13 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ka ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Gjakovë për shkak të vendimit mbi dënimin, duke propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet, ashtu që të akuzuarve t’iu shqiptohet një dënim më i rëndë.

Ankesë kishte parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Emir Sylka, avokati Besnik Berisha, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal. Kishte propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i Themelores të ndryshohet, dhe i akuzuari të lirohet nga akuza, ose të anulohet aktgjykimi i atakuar dhe çështja penale kundër të mbrojturit të tij të kthehet në rigjykim.

Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Enver Sylka, avokatja Dafina Osmani, kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, duke i propozuar Gjykatës së Apelit që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i Themelores të ndryshohet, dhe i akuzuari Enver Sylka të lirohet nga akuza, ose të anulohet aktgjykimi i atakuar dhe çështja penale kundër tij t’i kthehet shkallës së parë në rigjykim.

Përgjigje në ankesat e mbrojtjes ka parashtruar përfaqësuesja e autorizuar e palëve të dëmtuara, R.V dhe L.V, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, duke propozuar që ankesat e avokatëve Berisha dhe Osmani të refuzohen si të pabazuara, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë të vërtetohet.

Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore dhe përgjigja në ankesë e palës së dëmtuar, kurse të refuzohen ato të mbrojtjes.

Cilat janë gjetjet e Apelit?

Gjykata e Apelit ka gjetur se ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve janë të bazuara dhe se aktgjykimi i ankimuar duhet të anulohet ngase është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij. Ndërsa, ankesa e Prokurorisë dhe përgjigja e përfaqësuesit të palës së dëmtuar tani për tani janë jolëndore.

Sipas Apelit, Themelorja nuk ka paraqitur shkaqet dhe arsyet për çdo pikë të aktgjykimit, nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i merr si të provuara ose të paprovuara duke mos dhënë vlerësimin e provave.

Kjo Gjykatë gjen se shkalla e parë ka dështuar të japë arsye për mosmiratimin e propozimeve të mbrojtjes.

“…gjykata ka dështuar të jep arsye për mos miratimin e propozimeve të propozuara nga mbrojtja, propozime këto të cilat gjykata i ka refuzuar pa dhënë arsye të qarta dhe të bindshme, gjegjësisht nuk ka vendousr fare për disa propozime, ndërsa ato që janë dhënë, nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e lëndës, andaj aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që kanë kushtëzuar anulimin dhe kthimin e çështjes në rivendosje”, thuhet në vendim.

Sipas Apelit, dy dispozitivët e aktgjykimit të Themelores janë të paqartë, të pakuptueshëm, të pangët dhe në kundërshtim me arsyetimin.

Kolegji i Apelit ka vërejtur se gjykata e shkallës së parë, në arsyetimin e saj nuk ka dhënë arsye lidhur me faktet vendimtare, duke mos konstatuar se cilat fakte i ka vërtetuar e cilat nuk i ka vërtetuar, por vetëm ka paraqitur përmbajtjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe të dëmtuarve, mbrojtjen e të akuzuarve si dhe provat materiale, pa paraqitur një analizë të mirëfilltë të provave, e pastaj të nxjerrë konkludime të drejta e të bazuara në ato prova.

“Kolegji rikujton se aktgjykimi është një Copy paste i procesverbaleve të shqyrtimit gjyqësor duke bërë përshkrimin e deklaratave pa mos dhënë një vlerësim të rrethanave dhe fakteve të vërtetuara apo të pavërtetuara”, thuhet në vendim.

Kolegji i Apelit pajtohet me pretendimet e mbrojtjes se thelbësore për vërtetimin e drejtë të gjendjes faktike është video-incizimi nga kamera e sigurisë, ku është pasqyruar ngjarja, edhe pse e njëjta nuk ka zë dhe gjithashtu pajtohet se ishte një sulm i atëçastshëm, real dhe pikërisht pas sulmit me shkop të drurit i akuzuari Emir vërehet kur shtënë në drejtim të të dëmtuarve dhe Themelorja nuk është lëshuar aspak në trajtimin e kësaj çështeje.

Andaj, Apeli vlerëson se edhe në këtë drejtim aktgjykimi është i mangët dhe shkalla e parë nuk ka dhënë asnjë arsyetim lidhur me pretendimin e mbrojtjes nëse i akuzuari Emir kishte vepruar në kuadër të mbrojtjes së nevojshme.

Mbrojtësit e dy të akuzuarve kishin propozuar të dëgjohen si dëshmitarë dy hoxhallarë, po ashtu shikimin e vendit të ngjarjes dhe dërgimin e të pandehurit Emir për ekzaminim psikiatrik, dhe administrimin e provave. Por, thuhet se ishte pranuar vetëm propozimi për shikimin e vendit të ngjarjes. Edhe pala e dëmtuar kishte propozuar ekzaminim për të dëmtuarin- por ishte refuzuar.

Apeli në vendim ka theksuar se nuk pajtohet me pikëpamjen e dhënë në aktvendimin për refuzimin e të gjitha propozimeve, fakte këto që mund të konsiderohen si thelbësore për bazueshmërinë e akuzës, për rrjedhojë të fajësisë gjegjësisht pafajësisë së të akuzuarve në rrethanat e çështjes konkrete, ngase refuzimi për ekzaminim psikiatrik thuhet që u bë se i pandehuri për asnjë moment nuk ka treguar shenja që ka çrregullime psikike, bazuar edhe në video-incizim.

Aty thuhet se po ashtu trupi gjykues ka konsideruar se është e panevojshme që të dërgohet i pandehuri në IPFK, sepse pas kryerjes se veprës penale, në mënyrë krejtësisht të qetë i pandehuri Emir së bashku me të pandehurin Enver janë larguar nga vendi i ngjarjes, arsye këto që Apeli i ka konsideruar të pabazuara, ngase për tu trajtuar një person në gjendje të tronditjes mendore nuk duhet apriori të vuajë nga ndonjë sëmundje nervore.

“…ndërsa sa i përket propozimit për refuzimin e dëgjimit të dëshmitarëve – hoxhallarëve edhe pse kolegji i kësaj gjykate pajtohet se relevanca se për qfarë do të dëshmonin ishte se do të vërtetonin se kishin kontest pronësore në mes të dy familjeve e që nuk i ka kontetsuar askush përfshirë edhe vet mbrojtja kur ka bërë propozimin për dëgjimin e tyre, por mbrojtja kishte bërë propozimin për dëgjimin e tyre lidhur me kanosjet të cilat ishin ndaj familjes Sylka, por gjithashtu mbrojtja kishte propozuar edhe prova materiale akuza dhe padi, për të cilat gjykata nuk ka vendosur fare lidhur me to”, thuhet në vendim.

Andaj, Kolegji konsideron se është shkelur parimi i barazisë së palëve për shkak të refuzimeve të të gjitha propozimeve të mbrojtjes, duke privuar të akuzuarin nga mundësia për të paraqitur argumentet në mbrojtjen e tij në të njëjtat kushte si të Prokurorisë.

Gjithnjë sipas Apelit, në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar nuk është dhënë arsyetim i qartë përkitazi me refuzimet në fjalë, respektivisht për propozimet e provave materiale nuk është dhënë asnjë arsyetim.

As për armëmbajtje pa leje, shkalla e dytë thotë se Themelorja nuk ka dhënë arsyetim në aktgjykim lidhur me matjen e dënimit, ku gjykata ka detyrim që të arsyetojë rrethanat të cilat i ka vlerësuar me rastin e caktimit të dënimit, andaj edhe në këtë drejtim aktgjykimi i është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Apeli ka theksuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike, arsye këto për të cilat ky Kolegj ka vendosur qe rastin ta kthejë në rivendosje.

Në fund, Apeli ka vlerësuar se Themelorja në rivendosje duhet të veprojë në harmoni me vërejtjet e theksuara me qëllim të eliminimit të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Në rigjykim gjykata e shkallës së parë, duhet të veprojë në harmoni me vërejtjet e cekura si më lartë, ti eliminoj shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të procedojë edhe njëherë me të gjitha provat, të bëje shikimin e video incizimeve nga kamerat, sipas rrjedhës së procedurës të nxjerrën edhe prova të tjera të cilat janë me rëndësi për të vërtetuar drejtë gjendjen faktike, të epen arsye për të gjitha propozimet e refuzuara nga gjykata si dhe për të gjitha propozimet e propozuara, nga të gjitha provat dhe dëshmitë të vërtetojë saktë elementet e veprave penale, duke dhënë arsye edhe për faktet vendimtare dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerrë konkluzione të drejta dhe të ligjshme që vërtetojnë drejt gjendjen faktike”, thuhet në vendim.

Ndaj të akuzuarve, Apeli vendosi t’iu vazhdohet masa e paraburgimit pasi që vlerësoi se edhe më tutje ekzistojnë bazat ligjore mbi bazën e të cilave i është caktuar dhe më pas vazhduar paraburgimi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2024 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Emir Sylka akuzohej se më 19 shtator 2023, në Rahovec, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.V., dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

Në aktakuzë thuhet se Emir Sylka ditën kritike ishte duke punuar në lokalin e tij, kur u telefonua nga babai i tij, i pandehuri Enver Sylka, i cili i tregoi lidhur me fjalosjen me të dëmtuarin L.V., dhe e ftoi të shkonte në pronën e tyre. I pandehuri Emir mori veturën e tij dhe shkoi me shpejtësi në vendin e lartpërmendur, ku së bashku me të pandehurin Enver shkuan drejt rrugës për te dera e të dëmtuarëve duke bërtitur “dilni jashtë”. Prapa tij ishte i pandehuri Enver dhe afër stallës dolën të dëmtuarit N.V., dhe L.V. Posa afrohen te dera e oborrit të tyre, i pandehuri Emir filloi të shante dhe bërtiste me fjalët “a po doni me fol tash a po jav q… nonen”. Në këto momente, i ndjeri N.V., mori një shkop druri dhe filloi sulmi.

Sipas aktakuzës, në ato momente i pandehuri Enver i drejtohet të pandehurit Emir me fjalët “gjuj, gjuj”, dhe menjëherë i pandehuri Emir nxjerr nga brezi dhe shtie katër herë në drejtim të të dëmtuarve, duke e goditur N.V,. në pjesën e gjoksit, i cili për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u dërgua për trajtim në QKUK në Prishtinë dhe më 22 shtator 2023 ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërsa, të dëmtuarin L.V. e goditi në këmbë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhe më pas dy të pandehurit me qetësi u futën në veturat e tyre dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, Emir Sylka akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 i Kodit Penal.

Gjithashtu, Emir Sylka ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, pasi kishte poseduar armën e tipit revole e prodhimit turk SUB Elite 9mm, me të cilën ka kryer veprën penale të lartcekur dhe e mbajti atë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa leje nga organet kompetente. Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Sylka akuzohej se më 19 shtator 2023, me dashje ka shtyrë djalin e tij, të pandehurin Emir Sylka, për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” ndaj të ndjerit N.V., si dhe duke vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur në pronën e tij me të dëmtuarin L.V., për këtë mosmarrëveshje disavjeçare ishte i njoftuar edhe i pandehuri Emir. Ashtu që, i pandehuri Enver e telefonoi djalin e tij, Emirin, duke i thënë se “erdh L.V. dhe më kërcënoi se ti nuk guxon me vazhdu me punu dhe ka ardhur edhe vëllai i tij N.V.”. I pandehuri Emir, i pajisur me armë, erdhi me shpejtësi me veturën e tij dhe shkoi në vendin e lartcekur.

Për këtë, Enver Sylka akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në shtytje”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 32, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Të ngjashme

Të fundit