Njohësi i çështjeve politike dhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Taulant Kryeziu tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq përkundër dakordimit me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe ndërmjetësit e dialogut, pas saj filloi të shkelë çdo pikë të atij dakordimi.
Për këtë Kryeziu tha se faktori ndërkombëtar do të duhej ta analizonte këtë çështje, pasi sipas tij, kjo nuk ka të bëjë vetëm me një kërkesë nga ana e Serbisë.
“Ne e pamë cili ishte qëndrimi i Vuçiqit, Qeveria jonë, kryeministri jonë, shprehi gatishmërinë ta nënshkruaj Planin e Zbatimit por Vuçiqi doli në konferencë tha unë nuk jam pajtuar për asgjë do të shikoj, duhet të analizojë, dhe të nesërmen filloj narracioni i njëjtë. Nesër filloj me u shkel çdo pikë e atij dakordimi, atëherë faktori ndërkombëtar duhet me analizu me qetësi këtë punë, me e pa se nuk është vetëm një kërkesë. Hajde po flasim edhe për nenin 7, hajde po shohim cilat janë instrumentet e Këshillit të Evropës, çka thotë Konventa për mbrojtjen e minoriteteve që është traktati më shumë dimensional multilateral që e ka Këshilli i Evropës”, tha ai në emisionin “Respublika” në Tëvë1.
Sipas Kryeziut kërkesa për Asociacionin e komunave me shumicë serbe po bëhet me qëllim të ndërtimit të një entiteti ligjor që ka bazë territorial, dhe që sipas tij, flet në emër të të gjithë serbëve karshi institucioneve qendrore të Kosovës.
“S’mundet tash të jetë e vetmja kërkesë Asociacion, Asociacion se ne e dimë cili është qëllimi. Qëllimi është me e ndërtu një entitet ligjor që ka bazë territoriale dhe që flet në emër të gjithë serbëve karshi institucioneve qendrore. Pra një lloj zëvendësimi i pushtetit atje me një pushtet tjetër prapë që kontrollohet nga Serbia dhe kjo nuk mundet me kalu dhe unë jam i bindur që kjo gjë nuk duhet të kalojë dhe kryeministri këtu duhet me qenë me çdo çmim dhe çdo kusht mos me e leju një entitet të tillë ligjor, e cila shkel frymën, shpirtin dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës “, tha ai.
Teksa theksoi se ka një rirreshtim paksa të çuditshëm edhe të miqve ndërkombëtarë sa i përket çështjes së Asociacionit, por që sipas tij, roli arbitrues i ShBA-së, është jetik për Kosovën.
“Zatën edhe miqtë ndërkombëtarë deri para disa kohe e kanë pas pozicionin e qartë se nuk po kërkohet prej nesh një gjë e tillë, kur së fundi duhet me e thanë që ka një rirreshtim paksa të çuditshëm dhe këtu unë nuk e mohoj dhe këtë duhet me e thënë gjithë, që për Kosovën roli arbitrues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vital, është jetik, nuk diskutohet kjo. Por neve e kemi për detyrim me e rujtë këtë shtet të vitit 2008”, shtoi Kryeziu.