Ismet Kryeziu nga KDI ka reaguar për koalicionet mes partive politike që po arrihen nëpër komuna për balotazhin e 9 nëntorit.
Ai ka thënë se për balotazh partitë politike po bëjnë marrëveshje kush me kë po mundet, varësisht nga “pazari”
Kryeziu ka pyetur se cila është logjika politike, nëse në nivel kombëtar partitë përçahen, derisa në nivel lokal janë bashkëpunuese.
Ky reagim i tij ka ardhur pasi sot AAK ka arritur koalicion me VV-në për balotazhin në Junik dhe atë në Prizren.
Postimi i plotë:
Koalicionet për komuna po bëhen kush me kë po mundet — varësisht prej pazareve.
Komunat janë nivel tjetër i qeverisjes, pajtohemi. Por partitë nuk mund ta ndajnë me thikë qeverisjen kombëtare nga ajo lokale. Cila është logjika politike nëse në nivelin kombëtar përçahen, armiqësohen dhe nxisin pothuaj përplasje civile, ndërsa në nivel lokal sillen sikur janë bashkëpunuese “për të mirën e qytetarit”?
Nuk mund t’i lësh qytetarët një vit pa institucione, pa Kuvend e pa qeveri funksionale, e pastaj të thuash se në komuna po bashkëpunojmë për nevojat e tyre. Sepse edhe në nivel kombëtar politika bëhet për të njëjtët qytetarë. Nuk bëhet për kunguj!






