Qeveria në detyrë ka sqaruar qëndrimin e saj lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale, duke theksuar se vendimi nuk është i ri dhe se çështja është diskutuar më parë me partnerët ndërkombëtarë.
“Qëndrimi i kryeministrit Kurti dhe i subjektit që ai drejton, pra Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nuk është qëndrim i ri. Me 23 dhjetor të vitit të kaluar, dy përfaqësuesit e LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025,” tha për RTK, zëdhënësi në detyrë i Qeverisë, Perparim Kryeziu, i pyetur rreth deklaratave të zëvendësambasadores amerikane.
Ai shtoi se Lista Serbe nuk është një parti normale dhe se kryetari i saj de fakto vazhdon të jetë Millan Radoiçiq.
“Për të dhe 44 paramilitarë të tjerë serbë, përveçse fakte të pamohueshme, tashmë ka aktakuzë për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku” tha Kryeziu.
Ai gjithashtu theksoi se strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë e përdorin Listën Serbe si platformë në Kosovë. Sipas tij serbët e Kosovës nuk duhet ta kenë dhe nuk mund ta kenë vetëm një parti politike. Kryeziu kujtoi se 12 subjekte politike tjera serbe, prej tyre 4 parti politike, 6 iniciativa qytetare dhe 2 kandidatë të pavarur serbë, tashmë janë certifikuar në KQZ për zgjedhjet lokale të tetorit.
“Është e padrejtë që ato të neglizhohen për hir të Listës Serbe, e cila nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, por të Beogradit zyrtar në Kosovë”, theksoi ai.
Zëdhënësi në detyrë rikujtoi se Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste të ashtuquajturat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” me 29 qershor 2023.
“Në atë kohë u patëm kritikuar ashpër por doli se kishim të drejtë. Kosova është shtet i pavarur dhe Republikë demokratike”, tha ai për RTK-në.
Sipas Kryeziut, “Qeveria nuk ndalon partitë politike, as Listën Serbe. Por i takon KQZ-së të mos i certifikojë ato, dhe prokurorisë e gjyqësorit të veprojnë me informacionet dhe evidencën e bollshme që posedojnë nga organet e sigurisë dhe inteligjencës.”
Ndryshe, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, pas takimit që ka pasur sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në procesin zgjedhor të 12 tetorit.