Përzgjedhësi i Kombëtares U21 të Kosovës, Hekuran Kryeziu, ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e muajit mars.
“Dardanët” e rinj do të rikthehen në aksion në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027, ku i presin dy sfida të rëndësishme.
Fillimisht, Kosova U21 do të përballet me Romania U21 më 27 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një ndeshje ku synohet rezultat pozitiv para tifozëve vendas.
Ndërkohë, sfida e dytë do të jetë një test edhe më i vështirë, pasi më 31 mars “Dardanët” do të luajnë si mysafirë ndaj Spanjës, një prej përfaqësueseve më të forta në këtë kategori.
Këto dy përballje pritet të jenë vendimtare për rrugëtimin e Kosovës U21 në këto kualifikime, ndërsa stafi teknik dhe lojtarët synojnë të marrin maksimumin nga këto ndeshje për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.







