Kryeziu: Përplasja mes sistemit politik dhe mendësisë së liderëve po prodhon kriza të vazhdueshme në Kosovë

- Advertisement -

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur shqetësimin për krizën e vazhdueshme institucionale në vend, duke theksuar se Kosova po kalon nga një palë zgjedhje në tjetrat pa arritur të krijojë institucione funksionale për gati dy vite.

Përmes një reagimi publik, Kryeziu shtron pyetjen nëse problemi qëndron te sistemi politik apo te mendësia politike që vazhdon të dominojë skenën politike në vend.

Sipas tij, sistemi zgjedhor proporcional dhe Kushtetuta e Kosovës janë ndërtuar për të nxitur bashkëpunimin dhe kompromisin politik, duke promovuar një model të demokracisë konsensuale.

“Sistemi zgjedhor proporcional dhe Kushtetuta jonë janë të dizajnuara si një rregull shoqëror që promovon bashkëpunimin dhe kompromisin politik,” thekson Kryeziu.

Ai vlerëson se ky sistem praktikisht e bën të vështirë që një parti të qeverisë e vetme, duke i detyruar subjektet politike të bashkëpunojnë për krijimin e shumicës parlamentare dhe formimin e qeverisë, përfshirë edhe përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë.

Megjithatë, sipas Kryeziut, praktika politike në vend vazhdon të dominohet nga një mendësi që ai e përshkruan si “bajraktariste”.

“Politikanët shpesh e shohin politikën si dominim të një lideri, dhe jo si një proces kompromisi dhe bashkëpunimi ndërmjet aktorëve politikë,” shprehet ai.

Kryeziu thekson se përplasja mes mënyrës se si është ndërtuar sistemi politik dhe mënyrës se si funksionon politika në praktikë po prodhon kriza të vazhdueshme institucionale.

Sipas tij, vendi përballet me një dilemë të qartë: ose të mësojë të funksionojë brenda këtij sistemi përmes kompromisit dhe bashkëpunimit politik, ose të shqyrtojë ndryshimin e vetë sistemit për ta përshtatur me mënyrën se si funksionon realisht politika në Kosovë.

Ai paralajmëron se nëse kjo mospërputhje vazhdon, ciklet e krizave politike dhe zgjedhjeve të shpeshta do të mbeten një rezultat i parashikueshëm për vendin.

Të ngjashme

Të fundit