I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar për faktin se qeveria e Kosovës nuk po i trajton si partner dhe nuk po punojnë për sigurinë rajonale.
Në lidhje me këtë deklaratë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka thënë se nëse Kurti vazhdon në këtë mënyrë do të shkojë te “shtëpia”.
“Nuk është servilizëm me i dëgju ShBA-të, sepse ata janë edhe fuqi, nëse vazhdon kështu sipas mendimit tim kryeministri shkon te shtëpia”, ka thënë ai.
Tutje, Kryeziu ka thënë se raportet më ShBA-të duhet të jenë serioze dhe të afërta.
“Raportet me ShBA-në duhet të jenë tepër serioze sepse janë një shtet serioz, superfuqi botërore e cila na ka ndihmuar në çdo faze të zhvillimit të Kosovës dhe në ndërtimin e vendit. Marrëdhëniet duhet më qenë zyrtare, por e kam cek edhe një herë duhet më qenë të ngrohta për veprimet që kanë bërë para, gjatë dhe pas luftës. Kështu unë e konsiderojë që kryeministri dhe presidentja në këtë drejtim nuk janë në rregull dhe duhet të veprojnë ndryshe, të kenë raporte të afërta për tu zhvilluar Kosova…”, ka deklaruar ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë 1.