Profesori i drejtësisë Kadri Kryeziu e quan vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe të gabuar dhe me pasoja negative për komunitetin.
“Është një vendim i gabuar, krijon një atmosferë jo të favorshme ndaj Listës Serbe dhe është përdorur si një kauzë artificiale për zgjedhje. Kauzat zgjedhore duhet të bazohen në standarde të qarta dhe jo në konflikte të mëhershme,” tha Kryeziu.
Ai nënvizon se integrimi i komunitetit serb është detyrë e shtetit dhe çdo pengesë ndaj tyre është e dëmshme për Kosovën.
“Ne kemi detyrë t’i integrojmë në mënyrë demokratike. Ata janë pjesë integrale e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Çdo veprim tjetër është absurd dhe nuk sjell efekte pozitive për shtetin,” shtoi Kryeziu.
Profesori gjithashtu kritikon mënyrën se si KQZ-ja po trajton çështjen dhe rolin e partive politike në këtë vendim.
“Komisioni nuk është kompetent për të moscertifikuar Listën Serbe. Çështjet që ndodhën në Banjsko duhen ndjekur në mënyrë gjyqësore dhe jo politike. Të gjitha partitë tona, veçanërisht VV-ja, kanë gabuar në këtë qasje ndaj komunitetit serb,” theksoi Kryeziu.






