28.1 C
New York
Saturday, July 12, 2025

Buy now

Kryeziu: Osmani shkeli Kushtetutën në rastin e Kryeprokurorit, mund të shkarkohet

- Advertisement -

Pas rreth 1 viti e gjysmë pas propozimit të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokurorial, presidentja Vjosa Osmani ka vendosur të mos e dekretojë atë në krye të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në një konferencë për media të mbajtur të martën, Osmani tha se arsye për mosdekretimin e Isufajt janë një sërë shkeljesh ligjore, të cilat janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu konsideron se presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me vendimin e fundit.

Sipas Kryeziut, Osmani ka shkelur nenin 84, paragrafin 2 të Kushtetutës, ku thuhet se presidenti garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë.

“Unë konsideroj që presidentja e shtetit ka bërë një shkelje të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi për shkak të mosveprimit në kohë. Mosdekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, ka thënë Kryeziu për lajmi.net.

Kryeziu ka shtuar se pasojë e kësaj shkeljeje të Kushtetutës mund të jetë edhe shkarkimi i vet presidentes.

“Pasojat për presidenten munden me qenë të karakterit ligjor, nëse vendoset ndonjë padi ose kallëzim penal në prokuroritë publike. Po ashtu edhe të karakterit të shkarkimit nëse lënda dërgohet në Gjykatën Kushtetuese sepse e konsideroj se është një shkelje serioze, ndoshta ndër më seriozet”, ka shtuar tutje Kryeziu.

Ish-gjyqtari i Kushtetues tutje ka thënë se duhet të shpallet konkurs i ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit.

“Duhet të hapet konkurs i ri në të cilën këta kandidatë që kanë qenë të propozuar nuk kanë më të drejtë të propozohen nga Këshilli Prokurorial”, ka thënë Kryeziu.

Presidentja Vjosa Osmani ndryshe në konferencën për media sot ka shtuar se ka pasur presione nga njerëz brenda sistemit të drejtësisë që ajo ta dekretojë Isufajn.

Njerëz që dërgonin mesazhe që nëse nuk e dekreton dhe nuk nënshkruan, do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart etj”, tha ajo.

Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka quajtur deklarata tendencioze dhe tentim për ta shtrirë politikën në sistemin prokurorial ato të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për mos-dekretimin për Kryeprokuror të Shtetit Blerim Isufajn.

KPK me anë të një njoftimi për media po ashtu i ka bërë thirrje presidentes se nëse ka pasur presione dhe kërcënime, t’i dërgojë dëshmitë në organet kompetente.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim të mbyllur, në të cilin ka diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj, duke shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të saj, të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor, me arsyetime tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze, të cilat i prezantoi sot në një konferencë për media”, thuhet veç tjerash në njoftim.

Të ngjashme

Të fundit