Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se partitë politike që janë në Kuvend kanë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore për t’i formuar institucionet.
Kryeziu tha se në zhargonin shëndetësor, aktualisht Kosova është në gjendje kome, për shkak se nuk funksionon as Qeveria dhe as Kuvendi.
“Partitë politike që janë në Parlament kanë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore për t’i formuar institucionet. Kosova sot nëse shprehem në zhargonin shëndetësor, është në koma, për shkak se nuk funksionon as qeveria e as parlamenti”, tha Kryeziu në Rubikon në Klan Kosova.
Sipas Kryeziut, në situatën aktuale, presidentja Vjosa Osmani ka detyrë kushtetuese dhe ligjore që të jetë më e kujdesshme dhe të merret me partitë politike për krijimin e institucioneve, pasi tha se “e ka përgjegjësi ekskluzive kushtetuese”.
“Presidentja duhet t’i thërras partitë politike dhe të diskutoj se si të dilet nga kjo situatë. Është e thirrur në aspektin kushtetues që të jetë më vigjilente dhe duhet të jetë në Kosovë, e jo të shkojë në vizita jashtë”, tha ai.