Kryeziu tha se Kosova aktualisht duket pa asnjë agjendë politike e ekonomike.
Ai potencoi se e gjithë elita politike është e fokusuar në agjenda ditore, promovim personal, nxitje të konfrontimit shoqëror dhe protagonizëm për konsum të brendshëm.
“S’ka diskutime e as angazhime për integrimet euroatlantike. S‘ka më diskutime e as përpjekje për anëtarësim në NATO. S’ka diskutime e angazhime as për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar përmes njohjeve të reja. Edhe përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, INTERPOL apo UNESCO kanë mbetur pezull. Në të njëjtën kohë, përballemi me izolim diplomatik dhe masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian” shkruan Kryeziu.
‘Kurrë s’kemi pasur më shumë fukarallëk se sot – të mendimit e të veprimit politik’ shkruan Kryeziu në Facebook.
Reagimi i plotë:
Mosfunksionalizimi i Kuvendit është vetëm një nga pasojat në mungesë të një klase politike me vizion dhe lidership, me orientim shtetformues afatgjatë. Kosova sot duket pa asnjë agjendë politike e ekonomike.
S’ka diskutime e as angazhime për integrimet euroatlantike. S‘ka më diskutime e as përpjekje për anëtarësim në NATO. S’ka diskutime e angazhime as për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar përmes njohjeve të reja. Edhe përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, INTERPOL apo UNESCO kanë mbetur pezull. Në të njëjtën kohë, përballemi me izolim diplomatik dhe masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë, e gjithë elita politike është e fokusuar në agjenda ditore, promovim personal, nxitje të konfrontimit shoqëror dhe protagonizëm për konsum të brendshëm – sikur të ishin përgjegjës për mahallat e tyre, e jo për shtetin. Kurrë s’kemi pasur më shumë fukarallëk se sot – të mendimit e të veprimit politik.
Na ka mbetë vetëm të shpresojmë që një ditë politikanët ta kuptojnë se Kosova është shtet – dhe se politika është mundësi për forcim të shtetit dhe mirëqenie qytetare, jo skenë për protagonizëm mahallash.