Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka konfirmuar se Presidentja e Kosovës ka mundësinë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në rast se nuk konstituohet Kuvendi i ri brenda afatit ligjor prej 30 ditësh pas zgjedhjeve parlamentare.
Sipas tij, në mungesë të një baze ligjore për shpallje të drejtpërdrejtë të zgjedhjeve të reja, presidentja mund të ndërhyjë përmes një dekreti të posaçëm për të shmangur bllokadën institucionale.
Në një prononcim për Gazeta Blic, Kryeziu ka thënë se nëse situata vazhdon pa zgjidhje dhe Kuvendi nuk arrin të konstituohet në kohë, atëherë do të mund të shpallet gjendje emergjente e kufizuar vetëm për Parlamentin. “Po, e kam thënë në televizion: nëse edhe pas 30 ditësh nuk konstituohet Parlamenti, pasi që nuk mund të shpallen zgjedhjet, atëherë me një dekret me fuqi ligjore shpallet gjendja emergjente, e kufizuar vetëm për Parlamentin, dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme për 40 ditë. Fushata zgjat 10 ditë,” tha ai.
Aktualisht, Kosova ndodhet në një situatë të paqartë politike, pasi ende nuk është arritur marrëveshje për formimin e institucioneve të reja. Ky ngërç po rrezikon të shkaktojë një vakum kushtetues, i cili, në mungesë të një zgjidhjeje politike, mund të kërkojë ndërhyrje institucionale nga Presidentja e Republikës