Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka paralajmëruar pasoja serioze juridike nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh, siç përcaktohet në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kryeziut, aktgjykimi i Kushtetueses është një zgjidhje optimale për situatën aktuale politike, duke theksuar se këto aktgjykime janë burim detyrues ligjor.
Ai sqaroi se pasojat administrative përfshijnë marrjen e mandatit të deputetëve, ndërsa ato penale lidhen me shkeljen e rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është njëri prej aktgjykimeve optimal, i cili nuk është radikal, por jep zgjidhje situatës, e cila siç po duket është pa zgjidhje. Aktgjykimet e Kushtetueses bëhen ligje dhe janë ligje të detyrueshme. Pasojat të cilat mund të vijnë nga mos ekzekutimi i këtij aktgjykimi munden me qenë administrative dhe penale. Administrative – kushtetuese, janë marrja e mandatit të deputetëve dhe penale, e cila shkon më vonë, pra më ngadalë, sepse konsiderohet se është shkelje e rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës, e cila është e sanksionuar me kodin penal”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Kryeziu i ka bërë thirrje presidentes që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm, nëse ndodh që Kuvendi të mos konstituohet brenda afatit.
Megjithatë, ish-gjyqtari kushtetues është shprehur optimist se konstituimi i Kuvendit do të ndodhë brenda afatit ligjor.
“Presidentja sa më shpejtë të bëjë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Në mënyrë hipotetike nëse ndodhë se nuk konstituohet Parlamenti, i cili kam një bindje të thellë që do të konstituohet brenda kohës, por se çfarë duhet të veprojë? E vetmja është presidentja, e cila e ka obligim kushtetues për shpalljen e zgjedhjeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Presidentja duhet me qenë më vigjilente dhe më e angazhuar për krijimin e institucioneve”, deklaroi ai.