Ismet Kryeziu ngaf Instituti Kosovar për Demokraci e ka vlerësuar për të gabuar sistemin e votimit për “dhjetë kandidatë” në zgjedhje parlamentare, sistem ky që nga zgjedhjet e fundit me Ligjin Zgjedhor.
Kryeziu e sheh të duhur sistemin “një votë, një kandidat”.
Postimi i plotë:
Këto zgjedhje të parakohshme do të jenë përsëri vetëm një zgjidhje afatshkurtër – jo një zgjidhje përmbajtësore për politikën dhe demokracinë tonë.
Sistemi aktual i votës preferenciale – me deri në 10 kandidatë – e dëmton rëndë garën dhe i zbeh vlerën vetë pozitës së deputetit.
Kur një votë ndahet në dhjetë emra, nuk matet më besimi real i qytetarit për një kandidat, por aftësia për të krijuar “dhjetshe”, për mobilizim mekanik dhe për menaxhim të grupacioneve e rrjeteve të brendshme partiake. Kjo e zhbën garën individuale, e ul llogaridhënien, krijon mundësi për kandidatë pa peshë reale dhe dobëson cilësinë e tërë përfaqësimit politik.
Pa u ndryshuar sistemi zgjedhor nga vota dhjetëshe preferenciale në “një kandidat – një votë”, nuk do të kemi kurrë përfaqësim politik me kualitet. Me këtë model, deputeti nuk zgjidhet për vizion, integritet apo përfaqësim të qytetarëve, por për shkak të grupeve dhe pazareve të brendshme partiake.






